Transmetuar më 30-10-2020, 18:00

Të paktën tetë njerëz kanë vdekur dhe mbi 300 të tjerë janë plagosur nga tërmeti i fuqishëm që goditi të premten Greqinë dhe Turqinë.

Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare tha se tërmeti kishte magnitudë prej 6.9 shkallësh me një epiqendër 13 kilometra në verilindje të ishullit grek të Samos. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara njoftoi për një fuqi 7.0 shkallë të Rihterit.

Tërmeti 7 ballë Rihter kishte intensitet makrosizmik 5 ballë Merkali. Ai ndodhi në orën 14.51 ora turke, 13.51 ora greke dhe 12.51 ora e Shqipërisë dhe u pasua nga seri tërmetesh të tjera.

Në Samo të Greqisë dy adoleshentë 15 dhe 17 vjeç humbën jetën kurse 80 të tjerë u plagosën.

Në Izmir të Turqisë vdiqën gjashtë persona dhe u plagosën 202 të tjerë. Prej këtyre, 80 raportohet të jenë në gjendje të rëndë.

Disa ndërtesa, përfshirë pallate janë shembur plotësisht. Dëmet më të mëdha regjistrohen në Izmir ku tërmeti pasoi cunami i cili bëri që uji të vërshojnë në qytet.

Një cunami i vogël u krijua dhe në portin e Samos, raporton noa.al pas vëzhgimit të raportimeve më të fundit nga mediat kombëtare turke dhe greke.

Mediat turke shfaqën pamje të rrënojave të një ndërtese shumëkatëshe në Izmirin qendror, dhe njerëz që ngjiteshin në të për të arritur tek ekipet e shpëtimit. Pamjet tregonin edhe për tym në disa pika në Izmirin qendror.

Mediat turke thanë se tërmeti u ndje në të gjithë rajonet e Egjeut dhe Marmaras, ku ndodhet edhe qyteti i Stambollit. Guvernatori i Stambollit tha se nuk ka raporte për dëme.

Tërmeti u ndje gjithashtu në të gjithë ishujt lindorë grekë, dhe madje edhe në kryeqytetin e Greqisë, në Athinë. Mediat greke thanë se banorët e Samos dhe ishujve të tjerë u larguan nga shtëpitë e tyre.

Udhëheqësit e Turqisë dhe Greqisë të mbërthyer në një mosmarrëveshje të ashpër mbi të drejtat e eksplorimit të burimeve natyrore në Mesdheun lindor, patën sot një bisedë telefonike.

Sipas presidencës së Turqisë, ata shfaqën shpresën se dy vendet do t’i kapërcejnë shpejt pasojat e tërmetit.

Presidenti Tajip Erdogan tha se Turqia është e gatshme të ndihmojë Greqinë nëse është e nevojshme, sipas zyrës së presidentit.

Më herët, ministrat e jashtëm të dy vendeve biseduan në telefon dhe u shprehën se ishin të gatshëm të ndihmonin njëri-tjetrin, tha Ankaraja.