Transmetuar më 30-10-2020, 09:00

Një variant i koronavirusit që ka origjinën tek punëtorët spanjollë të fermave është përhapur me shpejtësi në pjesën më të madhe të Evropës që nga vera dhe tani përbën shumicën e rasteve të reja Covid-19 në disa vende, përfshirë 80% në Mbretërinë e Bashkuar, njoftoi sot Financial Times, raporton noa.al.

Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh që ndoqën virusin përmes mutacioneve të tij gjenetike përshkruan përhapjen e jashtëzakonshme të variantit, të quajtur 20A.EU1, në një dokument kërkimor të botuar orët e fundit.

Puna e studiuesve sugjeron se njerëzit që kthehen nga pushimet në Spanjë kanë luajtur një rol kryesor në transmetimin e virusit në të gjithë Evropën.

Kërkimi shkencor sugjeron se njerëzit që kthehen nga pushimet në Spanjë kanë luajtur një rol kryesor në përhapjen e virusit në të gjithë Evropën, duke ngritur dyshime se vala e dytë që përfshiu kontinentin mund të ishte kufizuar duke përmirësuar kontrollin në aeroporte dhe nyje të tjera të transportit.

Çdo variant ka firmën e vet gjenetike dhe bën të mundur përcaktimin se nga e ka origjinën virusi. "Nga përhapja e 20A.EU1, duket qartë se masat e parandalimit të virusit në vend, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndaluar transmetimin", tha Emma Hodcroft, gjenetike evolucionare në Universitetin e Bazelit dhe bashkëautore e studimit.

Studiuesit zviceranë dhe spanjollë po përshpejtojnë kontrollet për të parë nëse ky variant është më vdekjeprurës dhe infektiv sesa llojet e tjera.

Dr Hodcroft, thotë Financial Times, theksoi se varianti 20A.EU1 është i ndryshëm nga të gjitha versionet e tjera të Sars-Cov-2 të hasura më parë. "Unë nuk kisha parë ndonjë me këtë lloj dinamike, ne ende nuk kemi kuptuar nëse ai ka një mutacion të veçantë, në proteinën ‘spike’, atë të përdorur nga virusi për të hyrë në qelizat njerëzore dhe e cila mund të ndryshojë sjelljen e tij".

Të gjithë viruset zhvillojnë mutacione, më agresivja deri më tani e Sars-Cov-2 është quajtur D614G dhe është më ngjitëse. Joseph Fauver, një epidemiolog gjenetik në Universitetin Yale i pyetur nga FT, jo i përfshirë në këtë hulumtim, tha: "Ne kemi nevojë për më shumë studime si ky, për të gjetur mutacione dhe për të kuptuar se si rritet shpejtësia e transmetimit". /NOA/