Transmetuar më 30-10-2020, 00:07

Një fëmijë ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë janë plagosur në një episod të paqartë që ndodhi para pak orësh në Gjermani.

Mediat vendase raportojnë se një makinë u fut në një rrugë këmbësorësh dhe u përplas me ta.

Ngjarja ndodhi pasditen e së enjtes në qytetin Kempen, distriktin Viersen në North Rhine-Westphalia.

Shoferi rreth 30 vjeçar, gjerman nga Kempen, u përplas me një grup njerëzish duke shtypur një grua 39 vjeçe, djemtë e saj 2 dhe 12 vjeç si dhe një kalimtar tjetër, 43 vjeç. Fëmija 12 vjeç humbi jetën. Tre të tjerët u dërguan në spital me helikopter.

Sipas policisë lokale, shoferi i automjetit dyshohet se u arratis duke u larguar nga një korsi biçikletash, ndërsa arsyet nuk janë bërë ende të ditura.

Një zëdhënës i policisë së Viersen hodhi dyshime se shoferi u fut qëllimisht në rrugën e këmbësorëve dhe e lëshoi makinën drejt tyre, dhe menjëherë më pas mori arratinë.