Transmetuar më 29-10-2020, 17:24

Mide Dumani kishte 6 vite që e priste momentin  të përqafonte të birin Endrin të cilin bashkëshorti Shkëlzen Dumani e mori dhe e çoi në Siri bashkë me motrën e tij Evën në  shkurt të vitit 2014.

Endri ishte totalisht i mpirë, pa fjalë në këtë ri-takim për të cilin po flitet dhe po komentohet shumë . Përgjigja më e mirë për të kuptuar këtë moment janë fjalët e pakta të Endrit, por që tregojnë shumë.

Ai foli për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu,  tek sa ishte nisur  nga Bejruti për në Tiranë, ku e priste nëna dhe daja Xhetan Ndregjoni që nuk u lodh kurrë për ta kthyer në shtëpi.

Muhamed Veliu: Endri ne po shkojmë për në Shqipëri. A e mendoje që një ditë do të largoheshe nga kampi dhe do të riktheheshe tek nëna në shtëpi?

Endri Dumani: Po e dija.

Muhamed Veliu: Kush ta kishte thënë që do shkoje në Shqipëri?

Endri Dumani:Kemi pas fol më parë me dajën tonë Xhetan. Kemi pas fol përpara.

Muhamed Veliu: Kur ishe në Al Hol me çfarë merreshe, me çfarë luaje?

Endri Dumani: Luaja top me shokët ose ndonjë gjë.

Muhamed Veliu: Si ishin kushtet, si ishte ushqimi?

Endri Dumani: Ushqimi krejt mirë. Gjojna të mira. Veçse çadra aty fuste ujin përditë.

Muhamed Veliu: Kush kujdesej për ty, gjyshja me motrën?

Endri Dumani: Po.

Endri sot 13 vjeç shpëtoi nga kampi i ferrit Al Hol. Por mundësinë e riatdhesimit  nuk e shfrytëzoi e motra, Eva.

Muhamed Veliu: Kur e ke takuar Evën motrën për herë të fundit?

Endri Dumani: Përpara se të na merrnin.

Muhamed Veliu: Çfarë të tha Eva?

Endri Dumani: Vetëm më takoi më uroi.

Muhamed Veliu: Përse Eva nuk deshi të vinte?

Endri Dumani: Nuk e di. Kishte frikë.

Muhamed Veliu: Frikë që të vinte në Shqipëri nga kush e kishte frikën?

Endri Dumani: Nuk e di nga kush.

Muhamed Veliu: Ku është Eva tani në Al Hol?

Endri Dumani: Po në Al Hol.

Muhamed Veliu: Me kë po rri Eva atje?

Endri Dumani: Me ato gratë shqiptare që njeh.

Muhamed Veliu: Po Evës kur të flasësh në telefon a do tja mbushës mendjen të vijë në Shqipëri?

Endri Dumani: Them që po.

I bëjmë Endrit disa pyetje për të kuptuar se çfarë ndikimi ka patur tek ai babai, Shkëlzen Dumani i vrarë në Siri më 5 Nëntor 2014.

Muhamed Veliu: Po babi çfarë të thoshte për luftën?

Endri Dumani: Nuk më thoshte gjë se vetëm vinte dhe ikte

Muhamed Veliu: Kush ta tha lajmin që babi u vra në luftë?

Endri Dumani: Burri Muveltizes. Lavdrimi ai shqiptari.

Muhamed Veliu: Çfarë ju tha?

Endri Dumani: Tha që ka ndërruar jetë mos u mërzisni.

Muhamed Veliu: Tek varri babit ke qenë?

Endri Dumani: Jo.

Si çdo fëmijë Endrit nuk i mungojnë dëshirat paçka se jo për faj të tij fëmijëria ju kthye në vuajtje.

Muhamed Veliu: Çfarë do që të bësh në Shqipëri a do të shkosh në shkollë.

Endri Dumani: Nuk e di. Ehë…

Muhamed Veliu: Ke qejf të shkosh në shkollë?

Endri Dumani: Po kam.