Transmetuar më 29-10-2020, 16:52

Një person, i cili ka preferuar të mbetet anonim ka treguar për emisionin ‘Me pak fjalë’, në Euroneës, vështirësitë financiare në përballimin e sëmundjes Covid-19.

Më poshtë lexoni të plotë dëshminë:

Unë vetë nuk kam qenë i sëmurë, por kam pasur tre persona të infektuar me koronavirus në familje. Dy nga personat ishin në moshë të re dhe e kaluan dy javëshin e sëmundjes në shtëpi. Ndërsa personi i tretë, në moshë të madhe, iu desh të shtrohej në spital.

Të gjithë në të njëjtën kohë, me disa ditë të vogla ndryshimi, u sëmurën.

Fazë e parë e sëmundjes është e vështirë për shkak se ankthi, me kaq shumë sa dëgjohen për rrjedhën e sëmundjes, është një ngarkesë emocionale shumë e madhe.

Në momentin e parë që një pjesëtar i familjes u sëmurë, si fillim mora për veten disa vitamina shtesë.

Kosto e vitaminave ishte e lartë, i kaloi 12 mijë lek.

Të dy personat u kuruan në shtëpi për 90 mijë lek. Ndërsa për personin e tretë morëm një antiviral që kushtoi 700 euro.

Antiviralin e morëm privatisht. Pa antiviralin kosto e trajtimit më ka shkuar rreth 35 mijë lek pa vitamina, për person.

Ilaçet janë një pjesë, por nuk duhet të harrojmë shpenzimet për ushqimin e veçantë, për lëngje.

Mund të kesh disa ushqime të lira, të cilat janë të pamjaftueshme për një person të sëmurë.

Kështu që duhet të rritesh shpenzimet e të ngrënit, i cili na ka kushtuar më shumë se sa ilaçet.

Të mos harrojmë skanerët, nga 15 mijë lek secili, kemi bërë grafi 20 mijë lek secili, dhe analizën e trashësisë së gjakut 40 mijë lek secili.

Tamponin tek privati, 100 euro secili. Pra, vetëm ekzaminimet e Covidit na shkuan 60 mijë lek.

Për të mos thënë se ne jemi të punësuar në biznes privat, dhe u detyruam të mbyllim punën dhe kostove iu shtuan edhe mungesa e fitimit të muajit.

Pas dy muajve të kalimit të sëmundjes do të bëjmë një grafi, një analizë gjaku, dhe të shpresojmë që do të dalë mirë.