Transmetuar më 28-10-2020, 15:35

Detaje të reja kanë dalë pas ekzekutimit mafioz të 50-vjeçarit Ahmet Toska në lagjen “Sheq i Madh”, në Fier një ditë më parë.

Hetuesit e kanë përjashtuar faktin që mund të kemi të bëjmë me një ngatërresë, pasi autori i njihte mirë lëvizjet dhe e ka pritur herët në mëngjes kur doli nga shtëpia viktimën nën shoqërinë e bashkëshortes.

Madje, pasi e qëlloi në kokë nuk është mjaftuar me kaq, por e ka goditur edhe dy herë të tjera në zemër për t’u siguruar se e ka ekzekutuar,  shkruan Panorama. Ai ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje.

Mësohet se 50 vjeçari u vra pak metra pasi doli nga dera e shtëpisë dhe po shoqëronte bashkëshorten për në punë. Gruaja e tij punone në një furrë buke. Rreth 12 kamera sigurie janë sekuestruar nga policia, të cilat mbulojnë gjithë zonën ku u vra Ahmet Toska si dhe rrugën që ka ndjekur autori.

Viktima nuk kishte precedentë penalë madje nga banorët njihej si një person i qetë, punëtor dhe pa probleme, çka e bën edhe më enigmatike vrasjen apo motivet që pritet të zbardhen nga një grup i posaçëm hetimor.

Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin e largimit të autorit nga vendi i ngjarjes. Me kapuç në kokë që të mos identifikohej dhe pistoletën në dorë, ai është fiksuar duke ikur me vrap mes rrugicave të lagjes. I vetmi detaj që mund të ndihmojë grupin hetimor është fakti që autori largohet nga vendi i ngjarjes duke çaluar.

Hetuesit dyshojnë se autori duhet të jetë vrasës me pagesë, duke parë se është siguruar deri në fund që shënjestra e tij është eliminuar fizikisht. /E.A/ NOA.al