Transmetuar më 28-10-2020, 11:32

Fotoja e një infermiereje italiane teksa fle gjumë e raskapitur në timonin e ambulancës pas tetë orësh në pritje për të hyrë në dhomën e urgjencës të spitalit Villa Sofia në Palermo me një pacient në bord, ka bërë xhiron e rrjetit.

Fotoja që përjetëson momentin është bërë tashmë një nga imazhet simbolike të kësaj vale të dytë të koronavirusit. Infermierja, Aurora Tocco, është 22 vjeçe dhe punon në Spitalin e Fëmijëve në Palermo, por kur nuk është në detyrë, ajo hyn në autoambulancën e urgjencës 118 për të ndihmuar kolegët e saj.

Fotoja është postuar në Facebook nga një kolege e infermieres. "Po mendoj për atë që kam provuar me ekipin tim, e veshur për tetë orë me radhë, me një të dyshuar në ambulancë, që pastaj doli pozitiv pas rezultatit të tamponit. Tetë orë pafund dhe nuk ka mbaruar akoma", – shkroi ekipi i shpëtimit. Ndërhyrja, në fakt, filloi në orën 10 të mëngjesit dhe përfundoi vetëm në orën 6 të pasdites, kur rezultati i tamponit molekular ishte pozitiv.

Në çadrat e pajisura jashtë spitalit ka pacientë pozitivë që presin të ekzaminohen dhe më pas transferohen në pavijonet  Covid. Ndërkohë, personeli mjekësor me pacientin në bord mbetet në ambulancë. /E.A/ NOA.al