Transmetuar më 27-10-2020, 23:37

"Venecia" pranon kërkesën e Presidentit të Republikës Ilir Meta dhe ka vendosur që në seancën më të parë të muajit dhjetor të shqyrtohen ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.

Komisioni i Venecias, nëpërmjet një letre drejtuar kreut të Shtetit, e vë në dijeni se “çështja e Kodit do të trajtohet në dhjetor”.

Komisioni gjithsesi thotë se nuk do ta fusë në procedurë urgjente kërkesën presidenciale.

“I nderuar z. President! Në përgjigje të letrës tuaj të datës 21 tetor 2020, me të cilën ju kërkoni një mendim urgjent “për procesin e ndryshimit të njëanshëm dhe të përshpejtuar të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, kam nderin t’ju informoj se Byroja e Komisionit ka vendosur, e ndikuar nga koha e shkurtër e mbetur para seancës së ardhshme plenare dhe të kompleksitetit të çështjes, për të mos autorizuar procedurën urgjente.

Prandaj, mendimi do të përgatitet në procedurën e zakonshme dhe do t’i paraqitet seancës plenare për shqyrtim dhe miratim në dhjetor.

Sipas praktikës sonë, ky opinion në parim do të hartohet së bashku me ODIHR. Shfrytëzoj këtë rast për t’ju falënderuar edhe një herë për besimin tuaj në Komisionin e Venecias”, thuhet në letër.