Transmetuar më 27-10-2020, 10:09

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një komunikim me gazetarët u shpreh se ata i janë drejtuar SPAK për të hetuar atë që ata e quajnë aferën korruptive me rafinerinë e naftës në Ballsh. Ajo thotë se i kanë kërkuar KLSh informacion për situatën në rafinerinë e Ballshit.

"LSI iu drejtua SPAK për të hetuar aferën korruptive në Ballsh. I kërkuam KLSh informacion për situatën në Rafinerinë e Ballshit. Solidarizohemi me gratë që janë në grevë në Ballsh. Përgjegjësia e shtetit për rafinerinë e Ballshit është e madhe.

Ne do të vazhdojmë të ndjekim procesin e naftëtarëve. Ne kemi 70 lekë më shumë naftë se Maqedonia e Veriut. 70 lekë është për naftën vendase. Minimumi 90 mln euro fut shteti shqiptar nga përqindja që ka më shumë çmimi i naftës tonë" – tha Kryemadhi.

Mbrëmjen e djeshme kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ishte e ftuar në emisionin ‘Opinion’ aty ku tha se opozita e PD dhe LSI në zgjedhjet e 25 Prillit, me ndryshimet e fundit zgjedhore përllogarit 100 mandate. Kryemadhi u shpreh se me përllogaritjet që kanë bërë mund të kenë strategjinë elektorale më perfekte.

“Ne me PD e kemi kalkuluar strategjinë elektorale, e kemi perfekte. Me strategjinë e re që ne kemi përgatitur, e cila do të shpallet pasi të mos ketë më ndryshime në kodin zgjedhor, kodi i ri LSI-së dhe PD-së i jep 100 mandate. Ndërsa kodi i vjetër na jep 84 deri në 86 mandate” u shpreh Kryemadhi, duke shtuar se Rama nuk e ka pritur që opozita do të firmoste më 5 Qershor.

“Rama nuk ka pritur që marrëvëshjen e 5 qershorit opozita do ta nënshkruante. Sepse, për hir të së vërtetës edhe ne kemi luajtur një cik bukur”, u shpreh Kryemadhi.

Kryemadhi gjatë emisionit ka folur dhe për vendimin e qeverisë që maskat të jenë të detyrueshme dhe në rrugë. Sipas saj përdorimi i maskës për një kohë të gjatë shkakton probleme shëndetësore, pasi sipas saj, nuk lejon oksigjenimin e trurit.

“Vazhdoj dhe t’ju them qytetarëve shqiptarë që maskat në rrugë jo vetëm që janë abuzim psikologjik që i kanë kthyer shqiptarët si qen me maska. E dyta ajo që dua të theksoj është që nëse zoti Rama do të pajisë shqiptarët me maska që të ecin në rrugë le t’ua ofrojë, t’ua blejë dhe t’ua japë falas. E treta, dua të theksoj higjiena, larja e duarve, mosprekja e fytyrës, mos u puth në buzë me çdo njeri që sheh në rrugë është shumë e rëndësishme. E ndjej të nevojshme si nënë sepse përdorimi i maskës nuk lejon oksigjenimin e trurit dhe çekuilibron pozicionimin e secilit prej nesh." – u shpreh Kryemadhi.

/S.H /NOA.al