Transmetuar më 27-10-2020, 07:56

Nga Kadri Vokopola

Ka shkaktuar jo pak habi lajmi që i referohej një prej revistave më prestigjioze shekencore, siç është britanikja The Lancet, sipas të cilës, shërbimi shëndetësor i vendit tonë linte pas (natyrisht për nga cilësia e mirë) të gjitha vendet e rajonit.

Madje ia kaluakërka edhe Turqisë, paçka se shumë shqiptarë të kamur, ndër ta edhe shumë zyrtarë apo të afërm të tyre, të prekur nga covid-19 apo edhe me sëmundje të tjera preferojnë të kurohen në atdheun e Atataurk-ut.

Mirëpo fakti që një lajm të tillë e publikon një revistë a kaq me emër, nuk do të thotë se është bash ashtu, sepse nuk është fjala për ndonjë studim serioz të medias në fjalë, por thjesht një botim statistikor i servirur me siguri nga institucione pranë qeverisë shqiptare që merren me këtë punë.

Por edhe nëse nuk është ashtu, pra nëse The Lancet i është referuar ndonjë studimi nga ndonjë specialist i saj, lajmi duhet marrë sërish me pinca, sepse edhe The Lancet, me gjithë prestigjin dhe emrin e madh që ka nuk është pa “gjynahe”.

Vetëm disa muaj më parë, 26 në maj të këtij viti, kjo revistë botoi një studim të prof Mandeep Mehra, sipas të cilit, hidroksiloroksina rriste vdekshmërinë te pacientët me covid-19, duke bërë që OBSH të ndalonte eksperimentet më këtë medikament.

Vetëm tri ditë më vonë, më 29 maj,120 shkencëtarë nga e gjithë bota, i shkruan një letër drejtorit të Lancet, duke shprehur dyshime të forta rreth vlefshmërisë së studimit të professor Mehra-s.

Kaq u desh që drejtuesit e revistës të tërhiqnin studimin dhe ka disa javë që ka filluar një hetim ndërkombwtar për këtë, ndërkohë që OBSH sugjeroi rifillimin e eksperimenteve me hidroksiloroksinë.

Në fakt, ky është një “gjynah” i vogël sepse mëkatin më të madh The Lancet e ka në vitin 1998, kur duke botuar studimin e mjekut anglez Andrew Wakefield, sipas të cilit, vaksina e trefishtë, e fruthit, parotitit (shytat) dhe rubeolës, ishin shkak i përhapjes së autizmit dhe sëmundjeve intestinale te fëmijët, bëri që lëkundej besimi te vaksinat dhe të shtohej kontingjenti i atyre që refuzonin të vaksinonin fëmijët, në Mbretërinë e bashkuar dhe kudo në botë.

Dhe pasojat do të kishin qenë shumë të rënda sikur një gazetar investigativ i Sunday Times, Brian Deer, të mos zbulonte mashtrimin e madh të mjekut Wakefield, nga njëra anë, dhe papërgjegjshmërinë e prestigjiozes The Lancet nga anat tjetër.

Brian Deer kishte zbuluar (dhe janë të gjitha të dokumentuara) se si Andrew Wakefield ishte paguar nga një avokat për të falsifikuar rezultatet e kërkimit shkencor, me qëllim që t’i ofronte “mbështetje” atij në një proces gjyqësor kundër disa shoqërive farmaceutike që prodhonin vaksinat e mësipërme.

Jo vetën kaq, por Brian Deer arriti të zbulonte se Wakefield kiste nxjerrë edhe patentën për një sistem vaksimi veçmas që do të zëvendësonte atë të trefishtë.

Vetëm pas botimit të zbulimeve tronditëse të Brian Deer në viti 2004, i cili nxorri në pah edhe konflikt interesi të Andrew Wakefield, General Medical Council u vu në lëvizje dhe filloi një hetim të thellë për sjellje antishkencore për Wakefield dhe dy bashkautorë të tjerë (që më vonë deklaruan se ishin mashtruar).

Duke analizuar provat e shumta të dokumentuara nga Deer, ndër të tjera edhe fakte rrënqethëse se ai i kishte kryer eskperimente invazive tek fëmijët autikë, pa pyetur asnjë, më 28 janar 2010 i provoi të gjitha akuzat ndër të cilat 4 episeode pandershmërie dhe 12 episode me abuzime ndaj fëmijëve.

Mbi bazën e vendimeve të gjykatës, The Lancet botoi menjëherë një ritrajtim të studimit duke evidentuar faktin se përmbajtja dorëshkrimit ishte falsifikuar dhe në maj të vitit 2010 Andrew Wakefield u përjashtua përfundimisht nga urdhri i mjekut.

Kaq sa për të gjithë ata që sugjestionohen lehtësisht nga fama, emri apo prestigji i kujtdo qoftë…