Transmetuar më 26-10-2020, 17:59

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian kanë kërkuar që mazhoranca në Shqipëri të presë më parë opinionin e Komsionit të Venecias përpara se të rivotojë në Parlament ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Fillimisht ishte Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi që kërkoi pikërisht këtë gjë.

“Unë besoj se Komisioni i Venecias do të ofrojë ndihmë të menjëhershme mbi zbatimin e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut. Parlamenti duhet të marrë në konsideratë pritjen pa rivotuar për të marrë këtë mendim në shqyrtim. Mezi pres zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”, shkroi ai në Tuiter.

Në të njëjtën linjë është edhe Eurodeputeti dhe Raporteri për Shqipërinë në PE, David Lega, që adresoi një kërkesë të drejtpërdrejtë për Kryeministrin Rama.

“Pajtohem me Komisionerin Oliver Varhelyi.

Parlamenti dhe Kryeministri Rama duhet të presin për opinionin e Komisionit të Venecias, që do të ishte qasje demokratike. Zgjedhje të lira dhe të drejta në prill 2021 Shqipëri”, shkroi Lega.

Më vonë, Zëvendës Presidenti i PPE-së në Parlamentin Europian, Andrei Kovaçev, tha se Kodi Zgjedhor duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e “Venecias”.

“Mbështes qëndrimin e Komisionerit OliverVarhelyi! Kodi Zgjedhor duhet të jetë, në çdo rast, në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias, pasi do të ishte në favor të demokracisë në Shqipëri. Unë i bëj thirrje Kryeministrit Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë që ta respektojnë këtë”, shkroi Kovaçev.

Por Kryeministri Rama duket i vendosur për ta votuar përpara opinionit të "Venecias", duke thënë se dekretet e Presidentit janë të qarta, ato ose pranohen ose refuzohen.

Ishte kreu i shtetit Ilir Meta ai që iu drejtua Komisionit të Venecias për opinion. /k.k/noa.al/