Transmetuar më 26-10-2020, 09:56

Pas ngjarjes ku një 50-vjeçar u qëllua për vdekje sot në Fier, banorët e lagjes “Sheq i Madh” flasin për tmerrin e përjetuar që në orët e para të mëngjesit.

Dëshmitë e tyre tregojnë dinamikën se si u vra me armë zjarri mëngjesin e sotëm 50-vjeçari, Ahmet Toska.

Një dëshmitare foli për momentin e vrasjes dhe atë çfarë ndodhi pas saj.

“Ma vranë, ma vranë”, mësohet të ketë qenë reagimi i bashkëshortes së 50-vjeçarit, në momentin kur drejt burrit të saj  është qëlluar me armë zjarri.

“Dëgjuam ulërimat e bashëshortes së viktimës dhe tre të shtëna. Nuk dëgjuam makinë të largohej”, – tha në dëshminë e saj dëshmitarja, e cila ndodhej fare afër vendit ku ndodhi krimi.

Edhe në dëshmitë e tjera, viktima dhe familja e tij, janë përshkruar si një familje shumë të mirë dhe thanë se ata nuk kishin dijeni për ndonjë konflikt të tyre.

Kjo është dëshmia që dha për mediat gruaja nga Fieri:

“Dëgjuam krismat, ishim në gjumë faktikisht. Krismat, tre herë ka goditur, mu bë fillimisht si nga këto shashkat. Dola aty sepse u trembën fëmijët, mu duk si zë qensh se po ulërinte e shoqja, dola menjëherë këtu tek porta, sa hapa portën kur ajo i ra të shoqit përsipër. O ma vranë, o ma vranë. Thashë çohu moj motër, ajo që të ndodhi të ndodhi sepse kisha dhe pak frikë nga policia, kush merret jo e pe, jo s’e pe e më the të thashë, – tregoi për mediat një dëshmitare.

“Dëgjova ulërimën e të shoqes. E shoqja që atje erdhi me vrap, si duket është ruajtur nga autori dhe kur e pa që ai ra përtokë, u çua e shoqja e po bërtiste ma vranë, ma vranë”.

“Po mundohesha të hapja portën që të shikoja ishte vrasje vërtetë apo shashka se nuk isha e bindur a ishte krismë arme apo ishte shashkë. Tentova që ta ngrija atë por nuk mundesha dot. Fëmijët dolën, u trembën se ishin në gjumë, vetëm nga krisma që goditi tre herë bam-bam-bam. Ata ishin pa makinë. Di gjë autori kaloi nga kjo rrugicë”.

“Nuk i pashë. Viktima me gruan kalonin këtej përditë se çonte të shoqen në punë. Ai ishte djalë shumë i mirë, edhe e shoqja, si familje. Ne që i kemi këtu, që kalojnë përditë, çonte të shoqen në punë nuk kemi dëgjuar sikur një diçka më të vogël. Po t’i flisje të fliste, po mos t’i flisje nuk të fliste”, deklaroi dëshmitarja”.

Sipas informacioneve të deritanishme, viktima shoqëronte bashkëshorten e tij çdo ditë për në punë.

Nga hetimet, ai nuk rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë.

Një grup hetimor është ngritur për zbardhjen e ngjarjes.

Policia e Fierit dhe FNSH kanë ngritur pika kontrolli në të gjithë zonën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Pas marrjes në pyetje të bashkëshortes, janë sekuestruar kamerat e sigurisë së një biznesi, rreth 100 km larg vendit të ngjarjes, me shpresë për identifikimin e autorit. Autori besohet se ka qenë i maskuar, çka e ka bërë të vështirë përshkrimin nga bashkëshortja e të ndjerit, apo dëshmitarë të tjerë të rastit.

Bashkëshortja e viktimës është duke u marrë në pyetje në ambjentet e Policisë së Fierit.

/NOA.al