Transmetuar më 26-10-2020, 09:41

ELVIS HILA/ Bregu i detit në dimër zhduket plotësisht në Kunë të Shëngjinit. Pisha të tjera qindravjeçare janë rrezuar pas reshjeve të fundit të shiut.

Erozioni po shkatërron një zonë turistike mjaft të frekuentuar kryesisht gjatë stinës së verës. Deti po pushton me shpejtësi sipërfaqe të tëra toke duke i kthyer ato në zona ujore. Më shumë se 30 metra është sipërfaqja e tokës që është marrë nga deti gjatë viteve të fundit, fakt që e dëshmojnë dhe bunkerët që nuk ekzistojnë më. Një nga banorët e vjetër të zonës tregon mbi situatën alarmante të krijuar, duke thënë se nuk do të jetë e largët dita që kjo zonë të mos ekzistojë më.

“Gjatë viteve më shumë se 30 metra tokë janë marrë nga deti këtu në Kunë. Këtë e dëshmojnë dhe bunkerët të cilët janë zhytur në ujë, si dhe janë zhdukur pishat qindravjeçare që unë i mbaj mend shumë mirë, se jam 72 vjeç. Gjatë gjithë kohës këtu deti po hyn fuqishëm dhe nuk do të jetë e largët dita kur të përmbytet rruga kryesore dhe e gjithë zona. Është zvogëluar e gjithë sipërfaqja e rërës, siç edhe e shikoni. Kjo ka qenë një perlë natyrore dhe është shumë e dhimbshme se si po degradon dhe shteti nuk merr asnjë masë”, thotë Prek Nika.

I moshuari kërkon ndërhyrjen e qeverisë për të frenuar këtë fenomen të frikshëm dhe mjaft të rrezikshëm.

“Këtu është dashur të ndërhyhet me kohë për të frenuar fenomenin. Në qendër të Shëngjinit që janë bërë skalierat kanë dhënë mjaft rezultat. Kështu duhet të bëhet dhe këtu, sepse gurë kemi plot këtu në vendin tonë, por këtu mungon vullneti dhe dëshira. I bëj thirrje qeverisë që të marrë masa të menjëhershme, pasi këtu situata është alarmante e të paktën ta shpëtojmë këtë që ka ngelur”, thotë më tej 72-vjeçari.

“ZHDUKEN” PISHAT

Brezi i pishave është drejt fundit në Kunë të Shëngjinit në pritje për t’u marrë e gjitha nga deti. Eksperti i mjedisit Jak Gjini thotë se bregdeti i Shëngjinit po e vuan shtrenjtë ndërhyrjen e njeriut, duke folur për agresion të detit ndaj tokës me shtimin e stuhive detare.

“Është bërë prezente stuhia detare. Nëse para 10 vjetësh llogariteshin 4-5 stuhi detare, vetëm për këtë vit ka pasur 2. Mos harrojmë që niveli i detit arrin deri në shëtitoren e Shëngjinit. Sipas llogaritjeve të fundit, deti ka hyrë drejt tokës me nga tre metra në vit. Nuk do të jetë e largët dita e kjo zonë të mos ekzistojë më dhe kjo është e papranueshme. I kemi propozuar idetë tona për mbrojtjen e këtij gjiri, por gjithçka ka ngelur në letra”, thotë eksperti Gjini.

Gjini thotë se duhet ndërhyrë sa më shpejt dhe jo të vazhdojmë me strategji pa fund, pasi kjo ndërhyrje është e pashmangshme, por thjesht rriten kostot dhe dëmet.

“Kostoja është e lartë, por është e pashmangshme, sepse nëse ne nuk t’i ndërtojmë sa më shpejt ato, dëmi do të jetë edhe më i madh se më përpara. Pra, duhet ndërtuar skaliera dallgëkthyese që ta mbrojmë këtë zonë, sepse fenomeni i erozionit është shumë agresiv. Siç edhe e keni parë, vetëm nga stuhia e fundit janë rrezuar shumë pisha, çka do të thotë që deti po depërton me shpejtësi, duke rrezikuar dhe rrugën që është ndërtuar vitet e fundit”, shton më tej Jak Gjini.

Edhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura në Lezhë flet me shqetësim, por duket se nuk ka asnjë instrument për të ndërhyrë, ndaj i bashkohen apelit qytetar, duke kërkuar zgjidhje nga qeveria.

“Erozioni detar paraqet emergjencë në Kunë. Deti po hyn gjithnjë e më shumë duke marrë sipërfaqe toke. Situata është mjaft problematike dhe rrezikohet seriozisht ekzistenca e kësaj perle natyrore. Kërkojmë ndërhyrje, e kemi ngritur shqetësimin tek organet kompetente”, tha Besiona Simoni, specialiste e AKZM.

Erozioni detar në Kunë ka zvogëluar ndjeshëm sipërfaqen e rërës, duke bërë që kjo perlë natyre të braktiset dhe nga pushuesit gjatë sezonit të verës. Prej vitesh flitet për erozionin në Shëngjin dhe dëmet kolosale që janë shkaktuar, por ndërhyrja ka qenë shumë e vakët dhe aspak profesionale.