Transmetuar më 22-10-2020, 16:27

Ambasada e SHBA në Tiranë ka përshëndetur miratimin e Rezolutës për Antisemitizmin nga ana e Parlamentit shqiptar.

Në faqen e Facebook-ut të ambasadës shkruhet se akti i sotëm kujton historinë e Shqipërisë dhe strehimin e viktimave të persekutimit në mënyrë të guximshme, pa marrë parasysh koston dhe pavarësisht nga rreziku.

“Sot, parlamenti miratoi përkufizimin e Aleancës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit për antisemitizmin. Ky akt vazhdon traditën e gjatë të Shqipërisë në luftën kundër urrejtjes.

Na kujton gjithashtu historinë e Shqipërisë dhe strehimin e viktimave të persekutimit në mënyrë të guximshme, pa marrë parasysh koston dhe pavarësisht nga rreziku. Shtetet e Bashkuara janë krenare që e quajnë Shqipërinë një partnere dhe aleate ndërsa vazhdojnë angazhimin e tyre për dinjitetin e çdo individi”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA.

Ndërkohë, më herët, Parlamenti miratoi Rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”.

Rezoluta në fjalë mbështetet në përcaktimin e kësaj Aleance, e cila bashkon qeveritë dhe ekspertët për avancimin e vlerave që përkujtojnë Holokaustin, sipas deklaratës së Stokolmit të vitit 2000. /k.k/noa.al/