Transmetuar më 20-10-2020, 13:16

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot kohën kur merrej me sport.

Presidenti ndau foton e rrallë të asaj kohe, teksa tha u takua me Ferid Berberi, “ish-trajnerin e madh të peshëngritjes së Ekipit Kombëtar e Dinamos dhe të kampionëve Aleksandër Kondo, Agron Haxhihyseni, Ardian Kokonozi, Muharrem Berisha e shumë të tjerë”.

“I lumtur sot të kthehesha 35 vite pas në kohë për të ndarë kujtime të jashtëzakonshme për një periudhë shumë të bukur të jetës sime, me Profesorin tim të dashur, Ferid Berberi”, – theksoi Meta.

“Pas arratisjes së Aleksandër Kondos, ishte Profesor Berberi i cili më tërhoqi në magjinë e peshëngritjes dhe më edukoi me shumë pasion e dashuri me vlerat më të mira sportive”, shtoi presidenti.

‘E falendëroj veçanërisht për këtë foto të bukur që më solli sot gjatë stërvitjes me dy miqtë e mi, dinamovitin Bashkim Mullai dhe Ardian Kokonozi, apo siç e quanim të gjithë Poku, Kampion i Ballkanit”.

“Përjetë mirënjohës Profesorit të dashur që me shumë profesionalizëm, pasion e përkushtim përgatiti denjësisht shumë kampionë të peshëngritjes shqiptare, duke mbetur një shembull i çmuar dhe përherë frymëzues i gjeneratave të tëra sportistësh në rrugën e suksesit dhe të fitoreve”.

“Falë tij edhe unë jam stërvitur për të qenë përherë në superformë për të ngritur vetëm pesha të rënda!”, – u shpreh kreu i shtetit krahas fotove, me trajnerin e peshëngritjes.

/NOA.al