Transmetuar më 20-10-2020, 11:02

Qeveria ka miratuar projketbuxhetin e vitit 2021.

Parashikohen 587.6 miliard lekë shpenzime, ndërkohë që të ardhurat janë planifikuar të jenë 479 miliard lekë, me një defiçit buxhetor prej 6.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Treguesit e deficitit buxhetor janë më të lartat e viteve të fundit.

Ato sipas qeverisë janë ndikuar nga pandemia si edhe goditja që mori ekonomia prej tërmetit.

Qeveria ka planifikuar 8 miliardë lekë për fondin e rritjes së pagave për vitin e ardhshëm. Në fokus të rritjes do të jetë sektori i shëndetësisë, ai i arsimit dhe paga minimale. Është parashikuar një rritje pagash mesatarisht me 40% për mjekët dhe infermierët, ndërsa rritja mesatare për mësuesit do të jetë 15%.

Qeveria ka planifikuar të shpenzojë 4.5 miliard lekë për rritjen e pagave të mjekëve dhe 3.5 miliard lekë shtesë për pagat e mësuesve.

Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 91.87 miliard lekë ose 5.5% e PBB.

Ndërkohë, qeveria ka parashikuar një fond prej 3 miliard lekësh për kompensimin e pronarëve si edhe 1 miliard lekë për të përndjekurit politik.

Në projektbuxhet është pasqyruar edhe një fond prej 22.2 miliard lekësh për ndihmën ekonomike dhe 800 milion lekë për pagesën e papunësisë. Gjithashtu, 2.2 miliard lekë janë parashikuar për bonusin e lindjes.

Investimet Publike për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB ose 120.6 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 27 miliardë lekë).

Në planifikimin e investimeve për vitin 2021 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm.

Për vitin 2021 është miratuar dhe një fond prej 1 miliardë lekësh në formën e skemës së mbështetjes së fermerëve përmes përjashtimit të karburantit për prodhim bujqësor nga akciza, taksa e qarkullimit dhe taksa e karbonit.

/NOA.al