Transmetuar më 17-10-2020, 17:51

Një atentat ka mbetur në tentativë mbrëmjen e të enjtes së kaluar në Tiranë, ku në shënjestër ka qenë biznesmeni Adnon Dhima. Ka qenë vetë biznesmeni që ka denoncuar në polici përmes një telefonate që ka bërë se disa persona po e ndiqnin pranë pallatit të cilin e ka ndërtuar vetë, por edhe banon.

Ai ka qenë në shoqëri të vajzës së tij dhe një personi tjetër duke u futur në banesë, teksa dy persona të maskuar dhe ende të paidentifikuar e kanë ndjekur nga pas. Ata kanë lënë çadrat në hyrje të pallatit dhe janë drejtuar pas gjurmëve të Dhimës. Atentatorët kanë qenë të armatosur, madje në pamjet e dala sot nga Fax News, njëri prej tyre e ka bërë gati armën për ta qëlluar.

Në momentin kur biznesmeni është futur në ambientet e pallatit, vajza e tij bashkë me një person tjetër, kanë ecur më shpejt, duke marrë ashensorin.

Dhima ka qenë me shumë fat, pasi siç shihet nga pamjet, vetëm pas disa sekondave ashensori ka zbritur sërish, e teksa atentatorët ishin bërë gati për ta qëlluar, ai është ngjitur për në banesë, duke iu prishur planin.

Burime bëjnë me dije se Dhima, nuk ka qenë në dijeni se po e ndiqnin, ndërsa ka rrëfyer para hetuesve edhe për një konflikt që ka pasur, të cilin e ka denoncuar në polici, madje ka vënë në dijeni edhe kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe Ambasadoren e SHBA-ve Yuri Kim.

Dhimo ka treguar më tepër detaje para hetuesve por nuk janë bërë publike për shkak të hetimit, ndërsa ka dëshmuar edhe vajza dhe djali i tij.

VIDEO

Njoftimi i bërë ditën e Premte nga Policia:

Më datë 16.10.2020, rreth orës 00:40, shtetasi A.Dh.,kallëzon se më datë 15.10.2020, rreth orës 22:00, dyshohet se dy persona të panjohur e kanë ndjekur në hyrje të pallatit ku ai banon. Punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.