Transmetuar më 17-10-2020, 12:43

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, doli sërish sot në një konferencë për mediat, duke respektuar me rigorozitet masat anti-Covid.

Basha u shpreh se një nga arsyet e përhapjes së COVID-19 është mungesa e testimeve.

“Buxheti i shëndetësisë në Shqipëri është sa gjysma e buxhetit në Maqedoninë e Veriut”, tha Basha.

Kreu demokrat shtoi se duhen rimbursuar të gjithë pacientët e prekur nga Covid që po kurohen në shtëpi.

Gjatë fjalës së tij Basha tha se në shkolla vazhdojnë infektime masive, ndërsa shton se shqetësues mbetet mungesa e raportimeve si edhe mungesa e reagimit nga instancat.

Gjithashtu Basha tha se mungon investimi në teknologji që sipas tij do të mundësonte zhvillimin e mësimit të distancë.

“Asnjë masë nuk është marrë për të pajisur mësuesit, stafin apo dezinfektimin e ambienteve”, tha Basha.

“Mosmarrja e asnjë mase tregon qartë se përgjegjësi nuk është më pandemia, por keqqeverisja që po rrezikon jetën e shqiptarëve”, u shpreh Basha.

Keqmenaxhimi i pandemisë sipas kryedemokratit ka thelluar krizën ekonomike. Ai fajësoi sërish qeverinë se  po punon për grabitje dhe jo për të kapërcyer krizën.

“Mijëra mjekë të familjes mund të angazhohen nëse pajisen me mjetet e nevojshme mbrojtëse dhe paketat e medikamenteve. Buxheti i shëndetësisë në Shqipëri është sa gjysma e buxhetit të Maqedonisë së Veriut. Bonusi mujor 1000 euro për mjekët dhe 500 euro për infermierët nuk po jepet.

“Paratë që duhet të shkonin për shëndetësinë, përpihen nga afera korruptive. Personeli shëndetësor i rraskapitur, nuk përballon dot pacientë me sëmundje të tjera. 70 % e shkollave nuk kanë ujë të pijshëm. Asnjë masë për mësuesit dhe për dezifektantë”, – theksoi Basha.

Ai tha se “urgjentisht duhet të pajisen me tableta familjet që nuk kanë mundësi ekonomike t’i blejnë për fëmijët e tyre”.

Gjithashtu kreu demokrat shtoi se kërkohet “investim në teknologji për mësimin në distancë, të përgatitet infrastruktura në rast se shkollat mbyllen. Subvencionim i qirasë, heqja e taksës së pronës, shtrirja në kohë e mundësisë për të marrë kredi me garanci shtetërore.”

Basha tha se abuzuesit shumë shpejt do të përballen në prokurori.

/NOA.al