FOTO/ Familja shqiptare po kthehej në Zvicër, tre prej tyre humbin jetën në aksidentin tragjik
Transmetuar më 17-10-2020, 08:32

Tragjedi e rëndë familjare.

Aksidenti i rëndë ndodhi midis Uhldingen-Mühlhofen dhe Meersburg, ku humbën jetën tre anëtarë të një familje nga Kosova.

Raportohet se tre anëtarët e së njëjtës familje po ktheheshin nga Ferizaj për në Zvicër, ku jetonin prej vitesh.

Policia gjermane ka konfirmuar vdekjen e 3 personave duke theksuar se bëhet fjalë për 2 shqiptarë të Kosovës dhe një i tretë me pasaportë zvicerane, por që të tre kanë mbiemrin e njëjtë.

Më pas rezultoi se edhe personi i tretë është shqiptar i Kosovës, madje pjesëtar i së njëjtës familje.

Aksidenti ka ndodhur në kufirin me Gjermaninë, rreth 50 kilometra para hyrjes në territorin e Zvicrës, ndërsa sipas hetimeve të para policore, makina ka rrëshqitur dhe është përplasur ballë për ballë me kamionin që po afrohej.

Djali 12 vjeçar dhe i ati i tij 35 vjeç kanë vdekur në vendin e aksidentit nga plagët e rënda, ndërsa 18 vjeçari ka vdekur pak më vonë në spitalin në të cilin ishte dërguar me helikopter.

Vajza 11-vjeçe dhe shoferja e makinës “Audi” kanë pësuar lëndime të rënda, ndërsa shoferi i kamionit u plagos lehtë.

Ndërkohë, gruaja 35 vjeçare që drejtonte makinën dhe vajza e vetme e famijes, 11 vjeçarja që ishte ulur në sediljen pas,  fatmirësisht kanë arritur të shpëtojnë, por ndodhen në spital me plagë të rënda.

Rruga federale u mbyll për orë të tëra, gjatë punës së shpëtimit dhe regjistrimit të aksidentit.

Komisari i Policisë, Mark Gmünder, ka treguar edhe inicialet e tre personave të cilët kanë vdekur pasi janë përplasur me një kamion.

Bëhet fjalë për personat me inicialet B.K, Z.K dhe F.K, të cilët kanë qenë duke udhëtuar drejt Zvicrës.

Lidhur me aksidentin ka reaguar edhe ambasada e Kosovës në Berlin, e cila ka treguar se është në kontakt me autoritetet gjermane për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

“Të tre personat që kanë qenë në veturë, janë banues në Zvicër. Kombësia e dy të vdekurve është kosovare, kurse nacionaliteti i personit të tretë është zviceran. Inicialet e personit të tretë janë B.K, kurse dy të tjerët janë Z.K dhe F.K”, –  thuhet në përgjigjen e policisë gjermane.

Pak ditë më parë në Gjermani kanë vdekur tragjikisht edhe dy vëllezër nga Deçani, të cilët janë goditur nga një tren derisa po shkonin në shkollë.

/NOA.al