Transmetuar më 16-10-2020, 23:26

Kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, i caktuar nga koalicioni si kryeministër nëse fitojnë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, thotë se kreu i mazhorancës aktuale është duke bërë fushatë premtimesh, me angazhime të vjetra, të pambajtura.

Në debatin e sotëm televiziv, z.Basha premtoi se të gjitha bizneset deri në 14 milionë lekë të rinj do të kualifikohen si biznese të vogla. Ai tha se e vetmja taksë e tyre do të jetë 0.5 për qind mbi xhiron vjetore.

Basha tha se këto biznese nuk do të paguajnë më taksat shumë të larta të bashkisë që në Tiranë arrijnë deri në miliona lekë çdo vit. Po ashtu nuk do të ketë as TVSH dhe as taksa të tjera, përjashtuar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të çdo të punësuari dyhe administratori të bizneseve.

Duke u ndalur tek premtimet e Ramës, z.Basha tha se "ai erdhi me premtime shëndetësi falas me 300 mijë vende pune! Erdhi me premtime për shëndetësi falas, erdhi me premtime për legalizime falas, etj".

Në këtë pikë Basha tha se shqiptarët janë të ngopur me premtime boshe dhe shtoi: "Unë s’kam premtime. Unë kam plan. Një plan, i cili përbëhet nga komponentë të zbatueshëm".

Pjesë nga debati në "Zonë e Lirë"

Ervis Iljazaj: Ka ndonjë ide tuajën, që zoti Rama nuk e kopjon dot? P.sh një? E ka kopjuar psh rrogën minimale 300 mijë lekë e ka kopjuar.

Basha: Një sekondë! Unë të kuptova shumë mire, po ti nuk po më kupton. A të të bëj një pyetje unë tani? Si do t’i rrisë rrogat ai? Si do ta bëjë rrogën ai…? Një sekondë, t’i themi gjithë shqiptarëve sot. E dëgjova, tani do më dëgjosh ti mua. Dy minuta pastaj bëj pyetje. Paga, ta dijë çdo shqiptar nuk rritet me dekret qeverie. Nuk thotë dot kryeministri, kaq do jetë paga dhe automatikisht bëhet paga aq. Nuk rritet paga me dekret, prandaj ju thash që nuk është kopjim, është një kopjac i keq ai, s’ka kuptuar si rritet paga minimnale. Rritja e pagës minimale është pjesë e një pakete ekonomike që unë sjell, që stimulon biznesin, që rrit kredidhënien, që rrit konsumin, që e çon kurbën ekonomike në rritje dhe jo në ulje dhe në momentin kur biznesit i kursehen 24 lekë të reja për litër karburanti, i jep një fashë mbrojtëse për energjinë, i ulet nga 15 në 9% tatim fitimi, rimbursohen investimet në makineri. Këtë shumë parash, të cilës sot Edi Rama ia merr dhe ia çon Klod Mërtirit të incineratorëve, është pjesë biznesi. Më fal, një fjali në këtë moment! Atëherë unë them pagën minimale e ke 300 deri, një sekondë, se kjo e bën gjithë ndryshimin, se ti nëse do të hedhësh poshtë me mua është e padrejtë!

Ervis Iliazaj: Jo, nuk e hedh poshtë! Unë kam bindje në premtim!

Lulzim Basha: Ai erdhi me premtime shëndetësi falas me 300 mijë vende pune! Erdhi me premtime për shëndetësi falas, erdhi me premtime legalizime falas, shqiptarët janë të ngopur me premtime boshe. Unë s’kam premtime. Unë kam plan. Një plan, i cili përbëhet nga komponentë të zbatueshëm…

Ervis Iljazaj: Thjesht do ta lidhja me strategjinë tuaj…

Lulzim Basha: Ndërsa unë dua të them këtë gjë. Ndryshimi është, ai ka ardhur me premtime, premtimet që nuk i ka mbajtur. 7 vite nuk ka mbajtur premtime dhe në qoftë se ka një arsye të vetme, hiqi të gjithë të tjerat, është se ka shkelur çdo premtim. Ndërsa unë nuk vij me premtime, unë vij me plan dhe po të them edhe njëherë: paga minimale nuk është premtim, është pjesë e një pakete masash, e cila nuk funksionon në izolim. Po ta pyesësh, se nuk merr vesh nga ekonomia, është brryl. Po ta pyesësh, si do e rrisësh ti mor zotëri, si do e bësh ti 300 mijë lekë, ku do i gjesh ti lekët 300 mijë lekë? Cfarë do të të thotë ai?

Se ai nuk ka strategji të rritjes ekonomike. Nuk ka plan, është pa plan. E pe si e pyetën dje, i thanë çfarë plani ke ti, ku e ke programin. Tha tani do fillojmë të punojmë për programin. Tani do fillosh? 7 vjet në pushtet, tani do fillosh të punosh për programin? Programi u pa, ja ku është programi! Inceneratorët është programi! Vjedhja, grabitja e vendit është programi. Ndërsa ne kemi një plan. Një plan pjesë e të cilit, me një kabinet pranë qeverisë, ku ti sa i përket ekonomisë dhe financave, do të kesh kapacitetet më të larta të ekonomisë dhe financave që ka patur Shqipëria në 30 vite.