Transmetuar më 16-10-2020, 10:38

Tre persona ranë sot në prangat e policisë së Korçës. Ata u kapën në flagrancë duke transportuar 10 emigrantë të jashtëligjshëm.

Në kuadër të operacionit “Perimetri”, në pranga kanë rënë Abigel Kola, 29 vjeç, banues në Divjakë, të cilit iu gjetën 3 emigrantë në makinë. Janë arrestuar edhe Fatjona Vuçaj, 25 vjeçe, banuese në Durrës dhe Dhimitri Beba, 24 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas policisë, Abigel Kola është konstatuar në afërsi të vendit të quajtur “Kryqëzimi i Libonikut”, Maliq, nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, të cilët i kanë bërë me shenjë të ndalonte, por nuk i është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar”.

“Pasi janë vënë në ndjekje dhe bënë të mundur ndalimin e tij, gjatë kontrollit që forcat e Policisë ushtruan në mjetin e 29-vjeçarit, gjetën tre emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit, ky shtetas iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së”, tha policia.

“25-vjeçarja Fatjna Vuçaj është konstatuar në lagjen nr. 3, Pogradec, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, nga shërbimet e Policisë, të cilët i kanë bërë me shenjë që të ndalonte, por kjo e fundit nuk iu është bindur urdhrit të tyre”.

Forcat e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit dhe kanë bërë të mundur ndalimin e saj në afërsi të fshatit Memlisht, ku brenda mjetit iu gjetën shtatë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit, në bashkëpunim me 24 vjeçarin Dhimitri Beba”.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

/NOA.al