Transmetuar më 15-10-2020, 22:50

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e 2 vëllezërve nga Kosova, ndodhi së fundmi në Gjermani.

Dy vëllezër nga fshati Ratishë e Deçanit që u përplasën nga treni në qytetin Bruckberg të Gjermanisë, do të përcillen për në banesën e fundit të premten, në orën 15:00 në varrezat e fshatit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj përmes një statusi në Facebook:

“Të dashur qytetarë, Ju njoftoj se, nesër ditë e premte, në ora 15:00, do të bëhet varrimi i Hasan dhe Blerian Arifaj , në varrezat e fshatit Ratish i Epërm. Ceremonia e varrimit do të organizohet nga Institucionet Lokale të Deçanit. Ngushëllime familjes Arifaj dhe të gjithë qytetarëve për humbjen tragjike!”

Nxënësi i shkëlqyer, Hasan Arifaj, 17 vjeç dhe vëllai i tij, Bleriani, 13 vjeç, që ëndërronte të bëhej futbollist, u goditën nga treni në Gjermani, mëngjesin e së martës, teksa kishin marrë rrugën për të shkuar në shkollë.

Nga kjo përplasje shpëtoi, vëllai i tyre 14-vjeçar, Arigoni, i cili e pa tragjedinë e vëllezërve me sy dhe më pas e telefonoi babain e tyre, Arifin, për t’i kërkuar që me urgjencë të shkonte në stacionin e trenit.

Babai i djemve, Arif Arifaj,  duke folur për mediat kosovare mes dhimbjes falenderon  Zotin që i ka shpëtuar djali i dytë.

“Në vitin 1989, jam shku në mërgim. Kam kriju një familje dhe kisha tre djem. Hasanin, Arigonin dhe Blerianin. 17 vjeç, jo 16 tjetri hala dhe edhe një muaj i vogli 14 vjeç. Rasti tragjik ka qenë që si zakonisht fëmija shkojnë në shkollë, unë banoj në një qytet afër Mynheni-it, Bavari. Fëmija ku banoj prej një qyteze duhet të shkojnë të vazhdojnë mësimin në qytet”.

Për djalin e madh, Hasanin, ai tha se ka qenë nxënës shumë i mirë, ndërsa djali i vogël ëndërronte të bëhej futbollist.

“Hasani ka qenë një nxënës shumë i mirë, ka qenë një nxënës shumë i zoti, kështu që atë ditë, si zakonisht shoqja ime i merr fëmijët për me shku në shkollë. Mirëpo, pak ndoshta me vonesë, qysh fëmija shkojnë në shkollë dhe i ka dërgu me makinë deri afër aty. Mirëpo në atë kohë ka ardhë treni që këta duhet të udhëtojnë me ta dhe i kanë mbyllë ato pengesat që mos me kalu automjetet dhe njerëzit.

“Këta tu mendu që të shkojnë ta nxajnë trenin që mos me ikë, edhe ata kanë qenë tretë, dy të parët e kan pa trenin ndalun dhe kanë mendu që treni ka ardhë dhe nuk ka tren tjetër, dhe të kalojnë ta nxojnë trenin. Në atë moment ka ardhë treni regjional që ndalet vec në stacionet kryesore dhe me shpejtësi, sic e dina cfarë trena janë në shtetet e perëndimit, i ka marrë me vete dy djemt, Hasanin dhe Blerianin. Kështu që ka dashtë Zoti, dy të mi marre , një të ma lejojë. Ka mundur të jetë një tragjedi më e madhe. Ka pas ndoshta 40-50 centimetra që ka mundur ta marrë edhe tjetrin…” tregoi ai.