Transmetuar më 15-10-2020, 13:52

OPINION NGA SILVANA BEGAJ

“Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Thueja kangës sate që të vlon në gji.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!

Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.”

Por sa rini kaluan që nga vjersha e Migjenit?

Kaloi rinia e gjyshërve të mi dhe nuk ia thanë dot këngës e nuk qeshën dot. Bota jashtë vlonte nga zhvillimi, ata vuanin mjerimin.

Kaloi rinia e brezit të prindërve të mi dhe të mbyllur në verbërim këndonin këngën e heshtjes. Lexonin libra fshehur dhe si molla e ndaluar i dinë vlerën mirë edukimit dhe arsimit. U rritën me ëndrrën e një kënge që nuk e kënduan dot kurr se mundësitë ishin të pakta.

Po kalon rinia ime! Mundësitë e shumta të kalojnë poshtë hundës, por ti nuk i kap dot. Bota është e jona, por ne nuk e prekim dot. Pamë vetëm tranzicion dhe presim ndryshime që ndoshta do duan dhe tre breza rini tjetër të arrihen. Pse të qesh kjo rini? Kjo rini po përjeton lirinë e gabuar dhe kjo liri është kurth.

Kjo rinia e brezit tim shikon prindër sakrifikues që kanë lënë cdo gjë për të na dhënë ne mundësinë e shkollimit. Prindër që dikur kanë qënë të rinj dhe kanë harruar buzëqeshjen e tyre që të qeshim ne.

Rinia e brezit tim pa si blihen diploma me dy lekë që të bëjnë drejtor. Rinia e brezit tim mëson me libra të përkthyer keq nga mësimdhënësit. Rinia e brezit tim duhet të tund flamur militantësh që të punësohet dhe nuk ka rëndësi se sa produktiv je në punë, por sa persona mbledh në mbledhjet e partisë. Prandaj kjo rini nuk qesh. Kjo rini pret dhe nga pritja nuk qesh njëri.

Kjo rini po vret kohën në kafe si e vetmja mundësi socializimi që kemi.

Ambicia bie, zhgënjimi të pret krahët, përsëritja e të njëjta ngjarjeve të zhdekurajon. Edhe nëse qesh kjo rini e brezit tim do jetë i trishtuari që qesh bosh. Kjo rini nuk ka më cfarë të ëndërroj.

Kush do ta bëj të qeshi këtë rini? Thirrjet e politikanëve cdo katër vjet për interesa personale?

Rinia do sfida. Rinia do luftë. Rinia do jetë. Rinia do zhvillim. Rinia do program. Rinia do ta përdori forcën e saj vullkanike për realizim. Rinia shqiptare është dhe do, Mundësitë ku janë?

/NOA.al