Fitoren Shqipërisë ia mohoi gjyqtari francez, apo kuqezinjtë nuk dinë të shënojnë
Transmetuar më 15-10-2020, 09:36

Shqipëria në transfertën e Lutuanisë zhvilloi një ndeshje të mirë, sidoemos në pjesën e parë. Shumë të rinj në fushë me lojën që zhvilluan, pavarësisht barazimit pa gola, treguan se kombëtarja ka të ardhme.

Kuqezinjtë krijon disa raste për shënim dhe iu mohuan dy penallti.

Arbitri francez duket se u bë faktor në rezultatin e ndeshjes. Për Shqipërinë, pamjet televizive tregojnë se Karim Abed i mohon dy penallti, për prekje të pastra të topit me dorë nga mbrojtësit vendas.

Madje në një rast, ai dha karton të verdhë për lojtarët kuqezi, në vend që të jepte penallti.

Në minutën e 13-të, Shqipëria pas një sulmi, me një aksion të Seferit, i cili futet në zonë dhe tenton portën, topi bie në dorën e majtë dukshëm të hapur të mbrojtësit lituanez Girdvainis, dhe sipas pamjeve duhet të kishte një penallti për Shqipërinë.

Arbitri pas këtij momenti, akordon në mënyrë të habitshme një faull nga Seferi.

Momenti i dytë flagrant është në minutën e 23-të kur Abrashi në të djathtë pason te Seferi në qendër të zonës, i cili gjuan por topi pasi përplaset në këmbë, bie në dorën e hapur të njërit prej mbrojtësve.

Topi teksa prek dorën e mbrojtësit lituanez e ndalon atë të shkojë në portë. Tjetër penallti e mohuar për Kombëtaren tonë.

Në të ‘74-tën, duket se ka një moment të dyshimtë teksa Trashi pengon dhe mban nga mbrapa sulmuesin lituanez, i cili nuk ishte në zotërim të topit.

Megjithatë, kombëtarja ishte edhe e pafat, që nuk shënoi me rastet që krijoi në portën kundërshtare.

Trajneri Edi Reja  pas barazimit në transfertë ndaj Lituanisë, analizoi performancën e skuadrës së tij duke u shprehur, teksa  kuqezinjtë kanë 3 ndeshje pa shënuar gol.

“Le të themi që me vjen keq, se mundësitë i kishim. Kishte edhe një penallti neto në favorin tonë, dukej sikur lojtari ishte portier se e kishte krahun e hapur. Nuk mund të kërkoj justifikim, ndeshje si kjo duhej fituar. Trashi kishte një top para portierit në minuta e fundit. Ne krijojmë shumë raste, nuk arrijmë të konkretizojmë punën që bëjmë”, – tha Reja.

Lidhur me zëvendësimin e Emir Lenjanit, trajneri italian shtoi: Ndryshimi ndodhi për shkak se Lenjani dha shumë në pjesën e parë. Pati zbritje nga krahu dhe u fut në zonë.. Krosimet i kishte të ulta. Trashin e futa për t’i dhënë një natyrë tjetër lojës. Kemi 5 ndërrime, doja që secili nga repartet të kishte freski”.

Mungesa e Kallakut dhe sulmuesit gol?

“Fakti që në ndeshjen e Kazikistanit Kallaku pati performancë të mirë, nuk do të thotë që do të ishte detyrimisht pjesë e ndeshjes së sotme”.

“Ka pasur shumë lojtarë të rinj që iu dhamë mundësinë. Nuk e kemi problemin te krijimi i rastit por te finalizimi. Na ka munguar goli. Na mungojnë lojtarët që të kenë ftohtësinë për të konkretizuar. Rëndësi ka projekti dhe plani për të krijuar një rigjenerim të ekipit me këta lojtarë të rinj”, – tha Reja.

Për ndërrimin e Marash Kumbullës, teksa u pa zhgënjimi i tij,  Reja tha se “ishte zgjidhje e imja”.

“Mendoj që ishte vendim i duhur, çdo kush ka idenë e tij. Broja bëri një ndeshje të mirë, mbase jo aq sa ajo ndaj Kazakistanit. Unë duhet t’i jap mundësinë të gjithë të rinjve që të fitojnë eksperiencën. Të japin diçka në lojë dhe të kontribuojnë në ekip. Të njëjtën gjë bëra edhe në sulm, me aktivizimin e Manajt dhe Vrionit. Është e vështirë kur luan në transfertë të gjatë, mbas 3 ditësh. Isha i kushtëzuar ti bëja këto zgjedhje”.

Trajneri Edy Reja u shpreh se kuqezinjtë kanë shanse të marrin kreun e grupit, me ndeshjet e mbetura të nëntorit.

“Nuk kemi kompromentuar asgjë, kemi dy ndeshje në shtëpi e të mos gabojmë. Duhet të fitojmë e bindim, atë që nuk kemi bërë në këto ndeshje. Janë rezultate që nuk më kënaqin, jemi të keqardhur, me raste luan keq e me një gjuajtje fiton, ne nuk na ndodhi. Të shohim në nëntor ndeshjet në shtëpi, duke u munduar të marrim rezultatin, e kemi në mundësitë tona, do të mundohemi të bëjmë maksimumin e mundshëm”, u shpreh Reja.

Shqipëria mban aktualisht vendin e tretë në Grupin G, të Ligës “C” të Kombëve, me pesë pikë, aq sa ka Lituania e vendit të dytë. Bjellorusia me fitoren 2-0 ndaj Kazakistanit mori kreun e grupit,  7 pikë, ndërsa kazakët mbajnë vendin e fundit me 4 pikë.

/NOA.al