Transmetuar më 14-10-2020, 17:56

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit Markeljan Kuqo.

Ky i fundit liroi nga qelia Gerti Gjinarari, i dënuar me burgim të përjetshëm.

“Përshëndes Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për kallzimin e një të paudhi me çyrk gjykatësi që ka sfiduar hapur drejtësinë dhe popullin, duke liruar një të dënuar me burgim të përjetshëm!

Më në fund një hap i vonuar në rrugën e duhur të vendosjes së drejtësisë në drejtësi”, ka shkruar Rama në Tuiter.

Gjinarari rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e të konsideruarit i forti i Tiranës, Naim Zyberit, në vitin 1997 në Itali.

Ai u dënua me burgim të përjetshëm në Itali, por me sjelljen e dosjes në Shqipëri ai kërkoi gjykim të shkurtuar, duke pranuar të gjitha aktet e akuzës, çka e çon dënimin përjetë në 25 vite burg.

Një procedurë kjo e ndryshuar vitet e fundit, ku tashmë ndalohet gjykimi i shkurtuar për vepra të rënda penale, veçanërisht për vendime me burgim të përjetshëm.

Gjykata e Korçës, kryesuar nga kryetari Markelian Kuqo vendosi të pranojë kërkesën e Gjinararit për lirim me kusht, një vendim i marrë më 14 shkurt të vitit të kaluar.  /k.k/noa.al/