Transmetuar më 13-10-2020, 13:41

OPINION NGA MENTOR KIKIA

Lufta kundër korrupsionit ishte në fokus të fjalës së tre njerëzve të rëndësishëm, në një konferencë në Tiranë. Ambasadorja Kim, ambasadori Soreka dhe Kryeministri Rama. Dy të parët, diplomatë, si gjithëmonë folën pa emra, duke thënë se korrupsioni është i keq, i gjatë, i madh, i trashë, i shtrirë e… bla bla…Por të dy kërkuan një gjë: Prokuroria dhe Gjykata e SPAK të hetojë dhe dënojë zyrtarët e lartë.

Ndërsa kryeministri Rama tha se nuk është politika koka e korrupsionit. Ajo është “korporata e gjykatësve dhe prokurorëve që Vetingu po i largon dhe që SPAK duhet ti dënojë, që të mos mjaftohemi vetëm me përjashtimin”.

Padyshim, kjo ka qenë një kërkesë e hershme e gjithë shpitarëve. Nëse këta gjykatës kanë qenë të korruptuar atëherë të dënohen e tu merret pasuria.

Por ligji për Vetingun nuk e parashikon këtë, dhe mbi të gjitha, Vetingu u krijua si mekanizëm përjashitmi, pasi nuk gjenden dot prova për ti dënuar. Sepse gjykata dënon me prova e jo mbi bazë deduksionesh apo perceptimi. Pra, ne nuk kemi prova që një prokuror ka marrë rryshfet, por kemi prova që ai ka një vilë, të cilën nuk e justifikon dot. A mjafton kjo për ta dërguar atë në burg e për ti marrë shtëpinë? Asnjë gjykatës nuk do të bënte këtë.

Mbi të gjitha, gjykatësit na qenkëshin fajtorë edhe sepse, duke qenë të korruptuar, nuk kanë dënuar politikanët e korruptuar. Pra, ne kemi politikanë të korruptuar sepse kemi gjykatës të korruptuar që nuk i kanë dënuar! Kjo është si ai skeçi i estradës së Fierit, që fajin e kishte roja, ndërsa hajduti që vodhi lopën jo. Apo si proverdi, “bëri veza pulën, apo pula vezën”.

Unë nuk kam asnjë dyshim që drejtësinë e korruptuar e prodhoi politika e korruptuar. Sepse ajo i emëronte, ajo i ndante në “tanët” dhe “tuajët”, ajo e kontrollonte dhe e komandonte tërë sistemin, me radhë. Politika e korruptuar është fajtore këmbë e kokë për ndërtimin e një sistemi të qelbur drejtësie, ndaj dhe duhet të pastrohen paralelisht.

/NOA.al