Transmetuar më 08-10-2020, 13:26

Shpallet fituesi i çmimit Nobel për Letërsinë, për vitin 2020. Çmimi më i vlerësuar në botën e letrave u fitua nga amerikania Louise Elisabeth Glück.

Njoftimi u dha në orën 13.00 të ditës së sotme, nga komiteti i vlerësimit nëpërmjet një lidhjeje direkte në kanalin e tyre në YouTube.

Çmimi u shoqërua me fjalët “Për zërin e saj të pagabueshëm poetik që me një bukuri të rreptë e bën ekzistencën individuale universale”.

Glück është 77 vjeçe dhe është një nga poetet më të njohura bashkëkohore amerikane.

Në vitin 1993 fitoi çmimin Pulitzer me një përmbledhje me poezi, ndërsa në vitin 2014 fitoi Çmimin Kombëtar të Librit, një tjetër çmim i rëndësishëm letrar Amerikan.

Ajo ka shkruar 12 përmbledhje me poezi, si dhe përmbledhje të ndryshme të eseve të kritikës letrare.

Çmimi Nobel për Letërsinë është një nga çmimet më prestigjioze letrare i cili jepet qysh nga viti 1901. /a.y/noa.al