Transmetuar më 06-10-2020, 19:45

Autoritetet greke thanë sot se kanë zbuluar planin e nëntë emigrantëve shqiptarë për të rrëmbyer dhe mbajtur peng një prokurore dhe drejtoren e burgut.

Nëntë shqiptarët gjenden në burgun e Korfuzit dhe përballen me akuza të rënda penale.

Sipas policisë greke që citohet nga mediat vendase, shqiptarët kishin planifikuar një arrati nga burgu duke e shoqëruar këtë me pengmarrje.

Plani ishte që këta shqiptarë të detyronin drejtoren e burgut dhe prokuroren që tu jepnin leje dalje nga qelitë dhe këtë do ta realizonin duke organizuar rrëmbimin e tyre.

Policia zbuloi se këtij plani po i vinte në ndihmë edhe një punonjës sigurie i burgut, mesa duket, në shkëmbim të një shume parash.

Ky gardian kishte pranuar ti jepte dy pistoleta shqiptarëve, me të cilat do të realizohej pengmarrja dhe arratia.

Policia tha se i kishte zbuluar këto pistoleta që kishin hyrë në burg, duke çuar dhe në zbardhjen e planit kriminal.

Armët e zjarrit u gjetën në një nga hapësirat e përbashkëta të vendit të vuajtjes së dënimit. Te një nga pistoletat u gjet ADN e njërit nga shqiptarët që duket të ishte organizatori i planit.

Sipas hetimit policor, plani konsistonte në ditën kur të burgosurve do tu shqyrtohej kërkesa për leje dalje të përkohshme.

Hetimi policor përfshiu 15 qeli të seksionit B në burgun e Korfuzit, ku ndodhen 26 persona ndër të cilët vetëm dy janë grekë dhe të tjerët, emigrantë.

Mësohet se shqiptarët kishin planifikuar që pas daljes nga burgu të hynin në Shqipëri me mjet lundrues përmes detit. /noa.al/