Presidenti nxjerr emrat e 16 deputetëve të paligjshëm, a mban përgjegjësi Meta për Kuvend antikushtetues?
Transmetuar më 06-10-2020, 15:13

Presidenti i Republikës publikoi sot emrat e 16 deputetëve të Kuvendit duke i cilësuar ata si të paligjshëm. Këta janë persona të fundlistave të opozitës, të cilët thyen vendimin kolegjial për braktisjen e Parlamentit dhe u sulën të marrin postet që u sigurojnë privilegje deri në fund të jetës.

Kjo listë i bashkëngjitet në denoncimin e Metës, edhe 81 deputetëve të tjerë të cilët që të gjithë, 97 në total, kaluan në Kuvend një ligj të përgatitur nga qeveria e kryeministrit Edi Rama dhe i kundërshtuar jo vetëm nga opozita, por edhe bashkësia ndërkombëtare.

Meta thotë se këta 97 emra, kanë ngritur dorën për të bllokuar integrimin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Meta citon edhe PPE, pas këtij akti të turpshëm, siç thotë: “Duke votuar shkeljen e Marrëveshjes së 5 Qershorit të negociuar nga Bashkimi Europian me opozitën, kryeministri shqiptar Edi Rama hodhi një hije të errët mbi zgjedhjet e ardhshme të prillit, të cilat duhet të ishin të lira e të ndershme, dhe më të mira se të mëparshmet. Me këtë veprim Rama qartësisht pengon integrimin europian të Shqipërisë".

Në këtë pikë lind pyetja: Përse Presidenti ende ngurron të shpërndajë Parlamentin?

Po ashtu lindin pyetje të tjera. A e ka harruar Meta premtimin që bëri pak para pandemisë se do të shpallte disa ditë më pas Parlamentin si të paligjshëm?

Nëse Parlamenti është i paligjshëm dhe të paktën 16 deputetë të saj janë antikushtetues, si mundet që Presidenti të tolerojë paligjshmërinë dhe antikushtetueshmëri?

A ka një organ legjitim në Shqipëri që i jep zgjidhje kësaj situate dhe, fundja, pse populli shqiptar duhet të përfaqësohet nga njerëz të paligjshëm dhe me mandate antikushtetuese?

Sa kohë këto pyetje nuk marrin përgjigje, shqiptarët janë bashkë me shtetarët, të zhytur me ose pa dëshirën e tyre, në llumin që vetë shtetarët denoncojnë! /Redaksionale noa.al/

📌 ME MANDATE ANTIKUSHTETUESE

1.Klajdi Qama 2.Majlinda Halilaj 3.Selami Jenishehri 4.Nimet Musaj 5.Aurora Mara 6.Edmond Rrushi 7.Krenar Rryçi 8.Nikolin Staka 9.Vasil Sterjovski 10.Edmond Stojku 11.Ylli Shehu 12.Ramazan Gjuzi 13.Eugen Bojaxhiu 14.Ediola Braha 15.Arlind Çaçani 16.Arben Elezi