Transmetuar më 04-10-2020, 18:27

Në Shqipëri kufizimet janë hequr gradualisht që nga maji pas vendimeve që ka shpallur një pas një qeveria.

Gjatë verës, ndonëse të ndaluara, dasmat bënë kërdinë gjithkund në vend. Edhe këto muaj vjeshte e njëjta gjë, por hapur, jo si në verë, me frikën e gjobës.

Sakaq lokalet, bare e restorante e madje edhe pishinat e mbyllura janë rihapur kudo.

Një vëzhgim nëpër lokale ditët e fundit, bën të dallosh lehtësisht se si qindra njerëz kalojnë orë të tëra nëpër ambientet e mbyllura të lokaleve, ku distanca më e largët nga njëri-tjetri nuk e kalon gjysmë metri.

Në këtë pikë shumëkush beson se nuk ka ngelur gjë pa u hapur.

Por gaboni! Kinematë vazhdojnë të jenë të mbyllura. Asnjë prej tyre nuk është hapur që nga mesi i marsit.

Ky fakt shihet si paradoks dhe shumë njerëz po ankohen mes tyre dhe në rrjete sociale, se përse kinematë qëndrojnë ende mbyllur.

Në qendrat tregtare TEG dhe QTU ku gjenden shumë salla kinemaje, vizitorët shprehin habi përse nuk rindizen projektorët për të shijuar prodhimet më të fundit hollivudiane që, siç dihet, më së pari mund t’i shikosh vetëm në kinema.

Ingrid Xhaja është drejtore e komunikimit e Cineplexx Albania. Cineplexx është i vetmi rrjet serioz kinemash që operon në Shqipëri. Rrjeti i famshëm ka shtatë salla në TEG dhe po aq të tjera në QTU. Sallat janë nga më të ndryshmet dhe nëse përdoren të gjitha, mundësojnë distancim të mjaftueshëm të spektatorëve për rreth 1.5 deri 2 orë që zgjat një film.

Xhaja kujton faktin se më datë 1 tetor u rihapën edhe kinematë e Kosovës. Kinematë e tjera të rajonit janë hapur që në 1 shtator, pa përmendur Austrinë ku janë rihapur në gusht.

"Vetëm ne kemi mbetur tanimë. Ndonjë teori se si Covid përhapet nga projektorët, keni?", thotë me dozë ironie dhe habie për këtë paradoks, Ingrid Xhaja.

Edhe fansat e filmave janë të zemëruar nga ky fakt. "Vijmë me prindërit apo me shokë çdo javë në qendër tregtare e rrimë plot orë sa në dyqane e sa në supermarket dhe kur vjen puna të shohim një film dy orësh, na thonë është ende mbyllur. Po ça kuptimi ka kjo, kur ti rri me orë në TEG apo QTU dhe nuk na paska rrezik, ama po u fute në kinema nja dy orë, e hëngre virusin. Këto janë budallallëqe tipike shqiptare", – thotë Ardi, një 23 vjeçar i cili shton se deri nga marsi, nuk kishte lënë premierë pa parë në kinema.

Noa.al kërkoi informacion nga Ministria e Shëndetësisë për të kuptuar se përse po zvarritet rihapja e kinemave dhe a ka një datë për zhbllokimin e tyre. Deri tani nuk ka një vendim zyrtar për këtë. /a.b/ noa.al