Transmetuar më 03-10-2020, 15:08

Koronavirusi ka shënuar 52 raste të reja infektimesh në Kosovë në 24 orët e fundit dhe ka marrë 3 jetë.

Aktualisht 1341 raste aktive janë në Kosovë me koronavirus, ndërsa numri total i të infektuarve është 15 mijë e 758 raste.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, deklaroi se janë shëruar edhe 56 pacientë.

Ai deklaroi se në dy javët e fundit, Kosova është në mesin e 7 vendeve të Evropës që kanë menaxhuar më së miri situatën epidemiologjike.

“Kam theksuar dhe theksoj përsëri, që nga lirimi i masave se nuk do të ketë më vërejtje por reagim të fortë ndaj kujtdo që nuk respekton masat anti Covid. Tashmë pritet se brenda 4 ditëve të ardhshme në aeroportin e Prishtinës do të arrijnë rreth njëzet mijë bashkatdhetarë, andaj i bëj thirrje menaxhmentit në ANP që të kenë kujdes të shtuar ndajë diasporës dhe të ketë mbarëvajte të mirë sa i përket respektimit të masave anti Covid. Me qëllim të shkëmbimit të praktikave më të mira kundër Covid019 dhe asistencë të ndërsjellë për përballimin e situatës së shkaktuar nga koronavirusi, dje në Tiranë kemi nënshkruar edhe marrëveshjen me znj. Orgeta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale”, u shpreh Zemaj.

Ai tha se është mirëpritur vendimi i shtetit Zvicran për të larguar karantinen për shtetasit e Kosovës që kthehen në Zvicër dhe vlefshmërinë e testeve që ka bërë ekipi i ekspertëve epidemiologjikë të institutit gjerman të shëndetit publik “Robert Koch Institute”.

Sipas tij, shifrat  tregojnë se nga 17 shtatori e deri më sot, 3 tetor 2020, janë testuar gjihsej 10.090 qytetarë, betejën ndaj virusit e kanë fituar 1.833 pacientë ku kanë rezultuar pozitiv 918 raste, ndërsa 26 raste të vdekjes.