Transmetuar më 02-10-2020, 08:56

Presidenti Ilir Meta thotë se Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka bërë së fundmi një parashikim të zymtë për të ardhmen e afërt të ekonomisë shqiptare, më negativi jo vetëm për vendet e Ballkanit, por për të gjithë rajonin e BERZH.

Kreu i shtetit ngre si shqetësim se konkretisht, rritja ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të ulet në – 5.1% në vitin 2020 si rezultat i kolapsit të sektorit të turizmit, ndërprerjes globale të zinxhirit të furnizimeve, prodhimit të ulët industrial, rënies së investimeve të huaja, si dhe dërgesave nga diaspora.

Më tej shton se ndërkohë që parashikimi i rritjes ekonomike për Shqipërinë për vitin 2020 është – 9.0% më i larti krahasuar me vendet e rajonit.

“Rënia ekonomike e Shqipërisë është sa dyfishi i mesatares së vendeve të tjera të rajonit.

Pandemia ka prekur dhe ka ndikuar negativisht në ecurinë e turizmit, aq sa rënia e aktivitetit të turizmit ka kontribuar më shumë se 1/5 e uljes së rritjes ekonomike.

Gjithashtu eksportet për periudhën 7 mujore në vitin 2020 janë tkurrur në -17%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.  Rënia më e madhe e eksporteve është regjistruar me Italinë, në rreth 40% për periudhën mars – maj të vitit 2020. Ndërsa rënia e dërgesave nga diaspora në më shumë se 1/5 ka ndikuar negativisht në rënien e konsumit”, shkruan Presidenti.

Ai shton se në këto kushte çdo përshkallëzim i mëtejshëm i krizës politike në vend, do rrezikonte seriozisht stabilitetin dhe pasigurinë për qytetarët.

“Koha për parandalimin e rënies në humnerë është tani! Ndaj respektimi i Marrëveshjes së 5 Qershorit, është kyç për stabilitetin politik, por edhe për ekonominë kombëtare dhe atë të çdo familjeje shqiptare. Koha për t’u thelluar!”, thotë në mbyllje Ilir Meta. /a.y/noa.al

BERZH: Ekonomia shqiptare rënie me 9% për 2020, ndër më të goditurat në Ballkan prej Covid