Transmetuar më 01-10-2020, 19:26

Shkrimtari Agron Tufa publikoi disa dokumente, që dëshmonin se shkrimtari e studiuesi, profesori Nasho Jorgaqi ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

Por në mbrojtje prof. Jorgaqit i del përkthyesja Rezarta Reso, e cila e mbështet mbrojtjen e saj mbi vetë eksperiencën, edhe si shoqja e së bijës së shkrimtarit, si një njeri i afërt me familjen Jorgaqi, ku thotë se babai e gjyshi i saj hynin e dilnin e flisnin pa doreza kundër regjimit komunist.

Ashtu si hynte dhe dilte edhe vetë Ismail Kadare, që sot, sipas Resos, ose nuk kanë guxim, ose ashtu u intereson, që të mos ndihen në këtë sulm që i bëhet Nasho Jorgaqit, që si spiun, asokohe, fare mirë mund t’i kishte spiunuar dhe jo t’i paralajmëronte kur ata viheshin në syrin e ish-Sigurimit. Ajo Agron Tufën e quan “pseudo të persekutuar”, “pseudo intelektual”, teksa e akuzon edhe për plagjiaturë apo për vjedhje.

“Cili je ti Agron Tufa, ti pedagog i dështuar, frikacak i maskuar nën maskën e një të përndjekuri të pamerituar, që tregohesh kaq trim?! Pse nuk matesh me ata që janë në krye? Kujdes, se një ditë Tufa e harbuar mund të të kthehet kundra e të të çojë në gojën e Dragoit të vërtetë, që nuk është 90 vjeç e nuk di të falë”, thotë ajo duke e sfiduar Agron Tufën, i cili merret sot me një intelektual të klasit të parë, kur në 30 vjet klasa politike nuk ka bërë asgjë për të luftuar pasojat e komunizmit.

OPINION NGA REZARTA RESO

CILI JENI JU, ZOTI SORGE?

Fakte, mashtrime dhe gënjeshtra Disa ditë të shkuara e në vazhdim, lajmi bombastik i zbulimit të spiunit të rrezikshëm, të fshehur në dekada nën petkun e shkrimtarit, studiuesit e profesorit Nasho Jorgaqi tundi “Facebook”-un, që u shndërrua në një kope klithmash histerike kundër, le të lëmë mënjanë çdo titull, 90-vjeçarit, Nasho Jorgaqi.

U trondita e u habita nga dokumentet e publikuara dhe iu ktheva lidhjes 50-vjeçare mes familjes sime dhe familjes Jorgaqi, kujtimeve të mia si studente e Nasho Jorgaqit dhe ditëve të sotme tek e shoh të plakur, por gjithmonë duke hulumtuar apo shkruar diçka.

Të ketë qenë vallë spiuni i familjes sime?! I prindërve të mi, sidomos i tim eti, që nuk linte bisedë të ikte pa sharë sistemin e Hoxhës? Më kujtohet im gjysh, Bexhet Reso, me fjalët dhe mendimet e tij plot sarkazëm, të shprehura hapur me miqtë e ngushtë ndaj Enverit, të cilin e kishte njohur që fëmijë dhe kishte besuar se ishte “komunist i vërtetë” e shumë shpejt e kuptoi që ishte djall. Për ata që nuk e dinë, im atë, Bardhyl Reso, ka qenë ndër 13 anëtarët e parë të Komitetit Drejtues të Partisë Demokratike dhe deputet i Kuvendit të parë pluralist postkomunist, që u largua nga Partia Demokratike, pasi ajo u mbush më të shumtën me ish-komunistë ose pseudo të përndjekur.

Me Nashon nuk e prishi asnjëherë miqësinë, sepse, ndonëse ky i fundit kishte bindje të majta, ishte i vërtetë, i hapur dhe nuk dridhej e përdridhej si pseudodemokratët ishkomunistë. Bisedonin, argumentonin, ngrinin zërin, por nuk spiunonin njëri-tjetrin. Mbronin atë që besonin nën mbrojtjen e dinjitetit dhe integritetit si dy njerëz miq të hershëm e të vërtetë.

Më kujtohet se si Ismail Kadareja për vite të tëra vinte çdo darkë në shtëpinë e Nashos, shpesh dhe im atë i pranishëm, e mbyllej me të orë të tëra duke biseduar. Nasho ndërkohë për dekada të tëra “vëzhgonte” këto dy “viktima” të tij, të cilët janë mbi të 80-at. Si nuk pati rast t’i spiunojë? Një fjalë e “Dragoit” dhe im atë e Ismaili do të ishin përcëlluar e pjekur nga flakët e tij!!!

Po sa libra të ndaluar kanë dalë nga biblioteka e Nashos, që e bija, Kristina, m’i jepte për të lexuar e unë ua jepja shoqeve të tjera? Po sa miq e shokë të panumërt kanë hyrë e dalë në atë shtëpi, janë ulur e kanë ndarë pa fund biseda e kujtime me të? Dridhmat më zunë! Pas kësaj frike papritur u kthjellova, kur u kujtova që jemi në vitin 2020! D.m.th. 30 vjet pas rënies së komunizmit/ diktaturës dhe hapjes e lirisë së çdo mendimi, kujtimi apo tregimi.

Një deklaratë bashkëpunimi me Sigurimin e frikshëm, bërë në moshën 23- vjeçare, kujt i bëri dëm? Kë futi në burgje, kujt i preu kokën, kujt i nxiu jetën? Në këta 30 vjet, a ka dalë ndokush të thotë “Përballu me mua, Nasho Jorgaqi, sepse ti ke qenë spiuni që më syrgjynose apo më shkatërrove jetën?” Mos vallë është e kundërta, mos duhet të dalë dikush, që e di mirë të vërtetën e të ketë burrërinë të pranojë që "Ti, Nasho Jorgaqi, më ke shpëtuar jetën, se më paralajmërove apo më dhe informacion që Sigurimi më ka vënë në shënjestër?!”

Por burra të tillë si Ismail Kadareja me të shoqen, kushërirën e Nashos, nuk kanë mendere të pranojnë të vërteta të tilla, sepse tani Nasho, i plakur dhe pa përkrahje e pushtet, nuk u duhet më.

Jo, gabova, u duhet emri i Nashos për t’u viktimizuar. E na ngrihet një sharlatan e gënjeshtar, pseudo i përndjekur, që vidhte hapur leksionet dhe disertacionet e kolegëve, një i studiuar në Rusi si i përndjekur hajdut, që iu dhimbs fati i njerëzimit dhe nxjerr një faturë 70-vjeçare, krejtësisht në mënyrë të paligjshme, duke shfrytëzuar postin e dikurshëm, duke vjedhur dokumentet e duke i vërtitur sipas interesit e me një patetizëm histerik vihet në krye të Tufës së Baj Gano-ve, që bëjnë gallatë me një 90-vjeçar, kur rrugët, kuvendet, ministritë, kryeministritë janë mbushur me spiunë me dosje, që u kullojnë gjak e që kapardisen xhepaplot e tërë qesëndi në sytë e viktimave.

Vërtet Agron Tufa, Nasho Jorgaqi ishte ai i tmerrshmi?!? Të mos ndalem tek “ish-studentët e traumatizuar” nga kujtimi i Lasgush Poradecit të përgojosur nga Nasho!!!! Ata studentë që dikur e ngrinin në qiell për aftësitë e tij, për leksionet e tij interesante e plot detaje të këndshme për jetën e shkrimtarëve të ndryshëm. E admironin se ishte i drejtë, i hapur e i gatshëm të ndihmonte këdo.

Sa studentëve u ka hapur udhë të shkruajnë, të afirmohen, të bëhen kolegët e tij pa asnjë lloj detyrimi, por vetëm sepse ishte i tillë. Vërtet Blerina Idrizi doli nga salla në shenjë indinjate, kur Nasho vuri në lojë Lasgushin?!? Ju lutem, mos më bëni të gajasem, sepse i bie që Blerina të ketë jetuar në rrugë tërë jetën e saj derisa erdhi në Amerikë, nga indinjata që duhet të ketë pasur ndaj të atit dhe së ëmës, që shkruanin e korrigjonin tërë zell librat e Teuta Hoxhës.

Cili je ti Agron Tufa, ti pedagog i dështuar, frikacak i maskuar nën maskën e një të përndjekuri të pamerituar, që tregohesh kaq trim?! Pse nuk matesh me ata që janë në krye? Kujdes, se një ditë Tufa e harbuar mund të të kthehet kundra e të të çojë në gojën e Dragoit të vërtetë, që nuk është 90 vjeç e nuk di të falë.

/NOA.al