Transmetuar më 01-10-2020, 00:32

Qeveria ka urdhëruar të gjitha institucionet shtetërore në vend që duke filluar nga 1 tetori i sotëm, të gjithë nëpunësit të dalin çdo ditë në punë me orar të plotë. Të njëjtin urdhër ka lëshuar dhe kryetari i bashkisë Tiranë", Erion Veliaj.

Urdhëresat vijnë pak ditë pasi qeveria njoftoi se do të zbatojë kërkesën e Komitetit Teknik të Ekspertëve për rihapjen nga 1 tetori të mjediseve të brendshme dhe të mbyllura të bareve, restoranteve dhe pishinave.

Por urdhrat e qeverisë dhe bashkisë që administrata të mos punojë më pjesërisht ose plotësisht nga shtëpia, vijnë në të njëjtën kohë me një apel të fortë që lëshuan publikisht anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Instituti i Shëndetit Publik.

Jo më larg se pasditen e djeshme, e mërkurë, Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, kërkoi që institucionet dhe kompanitë të aplikojnë punën nga shtëpia për punonjësit.

"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, që, kur është e mundur të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia për të minimizuar kontaktin mes tyre dhe përhapjen e infeksionit. Virusi është ende mes nesh, dhe ne mund ta mposhtim atë vetëm nëse ndryshojmë sjelljen tonë të përditshme duke respektuar rregullat e vendosura ne normalitetin e ri", ishte thirrja e bërë nga Cami.

Deri dje, si qeveria dhe bashkia nxitnin vazhdimisht punën nga shtëpia jo vetëm për nëpunësit publikë, por edhe për punonjësit e kompanive private.

Tetori koincidon edhe me nisjen e fushatës intensive të partive kryesore në vend, për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. /noa.al/