Transmetuar më 28-09-2020, 20:46

Asambleja politike e Partisë Popullore Europiane diskutoi sot mbi situatën në vende me tensione politike, si Bjellorusi, Shqipëri, Nagorny-Karabak, apo edhe mbi raportet me Kinën.

Asambleja politike e Partive Popullore Europiane publikoi qëndrimin e saj mbi situatën në Shqipëri, ku dënoi “ndryshimet e njëanshme” të Kushtetutës nga maxhoranca, pas marrëveshjes së 5 qershorit.

PPE përmes deklaratës theksoi:

“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, janë parakusht themelor për integrimin e Shqipërisë në BE dhe se reforma zgjedhore e 5 qershorit duhet të zbatohet siç është rënë dakord konsensualisht, ndërsa ndryshimet e njëanshme, janë kundër rekomandimeve të OSBE-ODIHR”.

“PPE nxit heqjen dorë nga çdo ndryshim i njëanshëm i marrëveshjes konsensuale”, thuhet në reagimin e partisë popullore evropiane.

“PPE mbështet plotësisht udhërrëfyesin e Shqipërisë drejt integrimit në BE, duke përfshirë zgjedhjet e lira dhe të ndershme si një parakusht themelor. Reforma zgjedhore e 5 qershorit u miratua në mënyrë konsensuale dhe u mbështet ndërkombëtarisht dhe duhet të zbatohet siç ishte rënë dakord”.

“Ndryshimet e njëanëshme në këtë fazë, janë kundër rekomandimeve të OSBE / ODIHR si dhe kundër vendimit të Këshillit të BE për hapjen e negociatave të pranimit. EPP nxit heqjen dorë nga çdo ndryshim i njëanshëm dhe respektimin e marrëveshjes konsensuale sipas zotimeve”.

Deklarata për Shqipërinë e partive të djathta Europiane erdhi pas diskutimeve që u zhvilluan sot në Asamblenë Politike të PPE, bashkë me reagimet për Bjellorusinë dhe situatën në Nagorni Kabarak.

Po sot, edhe Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim dhe ai i BE-së Luigi Soreca, kanë kërkuar që të respektohet marrëveshja e 5 Qershorit mes mazhorancës dhe opozitës. Këto deklarata kanë bërë që mazhoranca të tërhiqet nga miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, parashikuar më 1 Tetor. /NOA.al

/NOA.al