Me drogë të ndarë në doza gati për shitje, si u kapën nga “Shigjetat” 3 të dyshuarit
Transmetuar më 28-09-2020, 13:29

Tre persona janë kapur në Tiranë nga forca e posaçme “Shigjetat” me lëndë narkotike të ndarë në doza, të cilën dyshohet se do e shpërndanin.

Të arrestuarit janë E. D., 20 vjeç, E. Ç., 25 vjeç dhe R. H., 24 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Pas mbajtjes në vëzhgim të tre të rinjve dhe mbi bazën e dyshimit se në çantën që mbante shtetasi E. D., i shoqëruar nga shtetasi E. Ç., kishte lëndë narkotike, shërbimet e policisë mbrëmjen e së dielës, i kanë bërë thirrje për të ndaluar, por të dyshuarit nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të policisë.

Ata kanë tentuar të largohen me një mjet tip “Volkswagen” me drejtues R. H., por janë kapur dhe ndaluar.

Gjatë kontrollit fizik të tyre dhe kontrollit në automjet, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 88 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa.

Tre të rinjtë u arrestuan në kushtet e flagrancës, të akuzuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim.

Ndaj tyre hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për ndjekje të mëtejshme. /a.y/noa.al