Transmetuar më 26-09-2020, 08:21

“Siguria Rrugore në fundjavë, në fokus të Policisë Rrugore të kryeqytetit. Shpejtësia mbi normat e lejuara, alkooli në timon dhe garat e shpejtësisë, të çojnë vetëm në një destinacion, polici, ose më akoma me keq, në spital!”

Është kjo ajo që thotë policia në vijim të kontrolleve rrugore të kryera gjatë natës mes të premtes dhe të shtunës, ku u hoqën 20 leje drejtimi për shpejtësi dhe alkool, gjatë drejtimit të mjeteve.

Gjashtë drejtues mjetesh dhe motomjetesh, u arrestuan “për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, në gjendje të dehur dhe të pa pajisur me leje drejtimi.

Gjatë orëve të mbrëmjes të datës 25 shtator deri në orën 00:40 të mëngjesit të së shtunës, gjatë kontrolleve me radar në rrugën interurbane Tiranë -Elbasan -Tiranë, janë evidentuar dhe janë ndëshkuar me pezullim të Lejes së Drejtimit 11 drejtues mjetesh, pasi qarkullonin me shpejtësi gati dyfishin mbi normat e lejuara, shpejtësi që varionin 150 km/h deri në 181 km/h.

Po gjatë këtij harku kohor, janë evidentuar dhe janë dërguar për gjykim në Organin Administrativ Shtetëror, 4 drejtues automjetesh të cilët janë konstatuar duke bërë gara shpejtësie me njëri-tjetrin në zonën e Bulevardit të ri i cili lidh Unazën e Re me Yzberishtin.

Ndërkohë kontrollet kanë vazhduar dhe po vijojnë në të gjitha rrugët e kryeqytetit duke përdorur alkool testuesit dhe si rezultat janë evidentuar dhe u është pezulluar leja e drejtimit 9 drejtuesve të automjeteve të cilët drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, në masën që varionte nga 0.24 mg/l deri në 0.47 mg/l.

Gjithashtu janë evidentuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 4 drejtues mjetesh që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në masën që varionte nga 0.61 mg/l deri në 0.67 mg/l.

Po ashtu janë arrestuar dhe dy persona të tjerë për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

“Mos fluturo në rrugë me automjet dhe mos e drejto atë në gjendje të dehur, se vret jetën tënde dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës. Thuaj stop sjelljes agresive. Thuaj jo alkoolit në timon. Bashkohu dhe ti për sigurinë”, apelon policia. /a.y/noa.al