Transmetuar më 25-09-2020, 21:46

Policia e Shtetit në lidhje me ekzekutimin e një ditë më parë të 71-vjeçarit, Lefter Zhidru, ka sqaruar mbi lajmin e bërë publik, lidhur me ankesën e bërë nga një fqinje e tij disa muaj më parë.

Policia tha se ankesa është bërë me e-mail më 4 maj dhe pas ballafaqimit mes palëve, prej asaj kohe nuk ka pasur më asnjë ankesë.

Në lidhje me lajmin e publikuar në disa media, – tha policia, –  se një shtetase nga lagjja "11 Nëntori", Elbasan, i ka dërguar e-mail Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për t’i kërkuar ndihmë për një konflikt që kishte me shtetasin Lefter Zhidru, sqarojmë opinionin publik se:

Më datë 04.05.2020, në adresën zyrtare të e-mail-it [email protected], është dërguar e-mail nga zonja, e cila ka raportuar konfliktin që kishte me këtë shtetas.

Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ankesa i është përcjellë menjëherë po atë ditë strukturave përkatëse.

Këto struktura kanë verifikuar dhe trajtuar problematikën, duke kryer veprimet e nevojshme, mbi bazën e procedurave standarde të punës.

Janë thirrur dhe kontaktuar palët e përfshira në konflikt dhe prej asaj date nuk ka patur më asnjë ankesë në polici. Mes këtyre dy familjeve kishte dhe një proces civil në Gjykatën e Apelit.

Policia e Shtetit fton çdo media ta kontaktojë zyrtarisht, për të shmangur informacionet e pasakta, si dhe qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke iu garantuar reagim me shpejtësi dhe profesionalizëm.

/NOA.al