OBSH: Para vaksinës numri global i të vdekurve nga COVID-19 mund të arrijë shifrën 2 milion
Transmetuar më 25-09-2020, 20:20

Numri i vdekjeve globale nga COVID-19 mund të dyfishohet në 2 milion para se të zbulohet një vaksinë e suksesshme, që të mund të përdoret gjerësisht në popullatë.

Kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë, pa një veprim të përbashkët për të frenuar pandeminë, – tha sot një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Në qoftë se nuk veprojmë tani (ndërmarrim veprime të bashkërenduara) … numri për të cilin flasim (2 milion vdekje) nuk është vetëm i imagjinueshëm, por fatkeqësisht ka shumë të ngjarë të ndodhë," – tha  Mike Ryan, kreu i programit të emergjencave të agjencisë së OBSH, këtë të premte.

Numri i vdekjeve rreth nëntë muaj, që nga zbulimi i rastit të parë të koronavirusit në Kinë, ka shkuar aktualisht,  në afro 1 milion.

Ryan tha se të rinjtë nuk duhet të fajësohen për një rritje të fundit të infeksioneve, pavarësisht shqetësimeve në rritje, pavarësisht se ata mund të nxisin përhapjen pasi kufizimet dhe bllokimet u lehtësuan në të gjithë botën.

"Shpresoj që të mos futemi në vorbullën e mosbesimit kur thonë se: e gjitha kjo vjen për shkak të rinisë", – tha Ryan. – "Gjëja e fundit që i duhet një të riu është të dëgjojë një person të moshuar, duke i tundur gishtin."

OBSH vazhdon bisedimet me Kinën, në lidhje me përfshirjen e saj të mundshme në skemën e financimit COVAX “krijuar për të garantuar akses të shpejtë dhe të barabartë në të gjithë botën për vaksinën COVID-19”.

"Ne jemi në diskutime me Kinën në lidhje me rolin që mund të luajë, ndërsa po bëjmë hapa përpara", – tha Bruce Aylward, këshilltar i lartë i OBSH-së dhe shef i programit “ACT-Accelerator”, për mbështetjen e vaksinave, trajtimeve dhe diagnostikimeve, kundër COVID-19.

Bisedimet me Kinën përfshijnë gjithashtu diskutimin me ekonominë e dytë më të madhe në botë, që potencialisht të furnizohet me vaksina përmes kësaj skeme, – tha ai.

Foto/ Forografi i Reuters ka kapur momentin e përgatitjes së varrimeve në Varrezat “Woodlawn” gjatë shpërthimit të sëmundjes koronavirus (COVID-19) në Everett, Massachusetts, SH.B.A., 27 maj, 2020.

/NOA.al