Transmetuar më 25-09-2020, 12:31

Pesë persona të dënuar për drogë, vjedhje e dhunë dhe rrëmbim personi, duhet të deklarojnë origjinën e pasurisë së tyre, për shkak të dyshimeve se është produkt i aktivitetit kriminal.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

-Tauland Starova, banues në Tiranë, i dënuar në Zvicër, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;

-Marinelo Sula, banues në Urën Vajgurore, Berat, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”;

-Kliton Hoxha, banues në Berat, i dënuar për veprën penale ’’Vjedhja me dhunë”;

-Nderim Deliu, banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”;

-Gramoz Toto, banues në Berat, i dënuar në Itali për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. /a.y/noa.al