Transmetuar më 24-09-2020, 19:02

Policia e Shtetit dha versionin e saj lidhur me ngjarjen e sotme në Elbasan, ku u ekzekutua 71-vjeçari i armatosur, brenda banesës së ish-gruas.

Pas sulmit me armë mbi forcën e posaçme "Shqiponjat" të Elbasanit, nga shtetasi Lefter Zhidru, 71 vjeç, dhe pas 5 orë negociatash që ai të dorëzohej, RENEA ndërhyri, duke e ekzekutuar.

Lidhur me ngjarjen dhe vendimin për ekzekutimin e tij, policia sqaroi se:

"Pas 5 orë negociatash, fillimisht nga Policia Vendore e Elbasanit dhe më pas nga grupi negociator i Reneas dhe i grupeve taktike të Reneas me shtetasin Lefter Zhidru, për t’u dorëzuar, ky shtetas nuk i është bindur në asnjë çast thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar, por ka reaguar me armë ndaj grupit negociator dhe grupeve taktike të Reneas që po negocionin me të".

"Ndodhur në kushtet e mosbindjes për t’u dorëzuar, forcat speciale Renea kanë ngushtuar rrethimin e banesës ku ndodhej 71-vjeçari".

"Shtetasi Lefter Zhidru, kur ka parë që forcat Renea po i afroheshin derës së banesës, ka hapur përsëri zjarr në drejtim të Policisë".

"Në kushte të larta sigurie për jetën e punonjësve të Policisë, Renena i ka bërë përsëri thirrje për të hapur derën dhe t’i dorëzohej Policisë, por përsëri 71-vjeçari ka reaguar me armë dhe në këto kushte Renea ka shpërthyer derën për të hyrë në banesë".

"Në momentin që forcat speciale Renea po ndërhynin në banesë 71-vjeçari ka sulmuar përsëri me breshëri plumbash Forcat Renea duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre, por falë mburojës metalike kolektive nuk është lënduar ansjë punonjës i Reneas".

"Në kushtet e vetëmbrojtjes forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur më zjarr dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, 71-vjeçari ka mbetur i vrarë".

"Grupi Hetimor, nën drejtimin e prokurorit, ndodhet në vendngjarje dhe në banesën e 71-vjeçarit ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, një sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe me lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim".

/NOA.al