Transmetuar më 24-09-2020, 15:57

Në Institucionin e Presidentit të Republikës u zhvillua sot ceremonia e betimit të anëtares më të re të kabinetit qeveritar.

Ajo u betua pak orë pasi gjatë seancës parlamentare këtë të enjteje u votua për emërimin në detyrën e Ministres së Arsimit. Me 104 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim, Evis Kushi është emëruar zyrtarisht në këtë post pak ditë pas largimit të ministres, Besa Shahini.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, ministrja Kushi u betua me dorën mbi Kushtetutë para Presidentit të Republikës: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave.”

Kreu i Shtetit i dorëzoi dekretin e emërimit Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë duke i uruar suksese në detyrën e re dhe të rëndësishme.

Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti, u shpreh pas besimit që i dha Kuvendit, edhe me votat e opozitë paralamentare. – “E gëzuar që sot Kuvendi i Shqipërisë votoi kolegen Evis Kushi për detyrën e re të ministres së Arsimit”.

Evis Kushi, deputete e PS-së në qarkun e Elbasanit, si dhe pedagoge dhe dekane e Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, mori besimin e kryeministrit Rama për postin e ministres së Arsimit pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, në ditën e parë të shkollës, ku dha dorëheqjen apo  u shkarkua, Besa Shahini.

/NOA.al