Transmetuar më 23-09-2020, 20:08

Ajo njihet për idetë dhe mendimat e hapura, që shpesh ndezin debate. Ka befasuar sërish gazetarja Zhaklin Lekatari.

Ajo tha se periudha e karantinës dhe pas saj, i ka shërbyer më shumë për të menduar për çështje të rëndësishme.

Një nga ato është edhe fakti që, gruaja shqiptare duhet të jetë hipokrite që të ekzistojë.

Zhaklini thotë se, që një grua të jetojë një jetë "normale" duhet t’i përshtatet rregullave, kushteve, etikës së shoqërisë dhe familjes, duhet të gënjejë dhe t’i shijojë në fshehtësi pasionet e saj. Por sipas gazetares kjo gjë duhet të marrë fund.

Gruaja shqiptare për të ekzistuar duhet të jetë hipokrite. Një grua shqiptare që të jetojë një jetë “normale”, duhet t’i përshtatet kushteve, rregullave, etikës, apo normave që shoqërua, familja, kanë vendosur për të. Dhe shumë prej tyre bëjnë jetë të dyfishtë. I realizojnë fshehtas pasionet që kanë, apo dashnorin e radhës dhe në shtëpi janë dikush tjetër”.

“Kjo vlen edhe për vajzat që nuk e marrin guximin të kërkojnë në familje atë që realisht duan. Nuk e marrin guximin të hapin debate, dialogë me familjarët e tyre, por edhe të krijojnë diskutime për të marrë atë që duan.”

Zhaklin kërkon nga vajzat dhe gratë që të bëhen bashkë. Hipokrizia na dëmton thotë Zhaklini, jo vetëm ne, por edhe vajzat që ende nuk kanë lindur.

“Preferojnë të qepen për të qëndruar prapë të virgjëra, duke filluar një marrëdhënie të re dhe martesë të re me një gënjeshtër”.

“Nga njëra anë mund të thuash se ajo ka të drejtën e saj për t’u qepur, sepse ka të drejtën për të pasur një mundësi të dytë. Por këtu nuk jemi në vendet e Arabisë Saudite”.

“Këtu jemi në Tiranë, jemi në Shqipëri dhe jemi shumë pranë Evropës. Në një vend si ky yni nuk duhet një shoqëri kaq patriarkale, lufta nuk mund të bëhet nga disa vajza dhe gra të caktuara. Unë kam luftuar për ta bërë këtë që bëj dhe luftoj përditë”.

Më tej gazetarja tregoi edhe përvojën e saj personale.

“Ju e shihni sesa shumë ofendohem, bullizohem, apo sa shumë komente negative vendosin njerëzit nëse unë ndaj një pikturë apo vizatim erotik”.

“Kjo do të thotë që lufta ime personale me shoqërinë ende nuk ka mbaruar dhe nuk do të mbarojë deri në fund të ditëve të mia. Fakti që jam grua, më bën të jem qytetare e kategorisë B, në mënyrë automatike më bën të pavlerë mendimin, ideologjinë, analizën, time”.

“Që kjo të ndryshojë, duhet në radhë të parë të luftoj unë dhe të bëhem bashkë me vajza dhe gra të tjera. Duhet të fillojmë patjetër kritikën mes llojit tonë. Unë nuk kam asgjë kundër operacioneve plastike, përkundrazi jam shumë e lumtur që ne jetojmë në një botë që na jep mundësinë të jemi ajo që duam.”

“Por nuk është e nevojshme të bëjmë vetëm operacione plastike, në mënyrë që të shesim veten, ta nxjerrim në treg dhe të marrim burrin që ka më shumë lekë dhe që do të na mbajë. Po nëse burrit nesër do t’i ikin lekët, do të falimentojë ju do të rrinit prapë me atë?”

“Ne duhet të jemi më shumë të lidhura me njëra-tjetrën, të pranojmë kritika nga njëra-tjetra. Duhet të fillojmë të pretendojmë më shumë për veten tonë, të guxojmë më shumë. Hipokrizia na dëmton ne, gratë, vajzat e vogla, por sidomos ato që nuk kanë lindur ende. Ndaj duhet që secila prej nesh të bëjë një luftë personale, si individ, si qytetar”, u shpreh gazetarja Zhaklin Lekatari.

/NOA.al