Transmetuar më 23-09-2020, 14:05

Presidenti Ilir Meta thotë se Shqipëria nuk e meriton të renditet mes vendeve si Siria, Afganistani, Iraku dhe Irani, për numrin më të madh të azilkërkusve në botë.

Meta deklaron se Shqipëria meriton vetëm të ardhme europiane.

“Mjaft me drejtimin e gabuar të autoritarizmit, arrogancës, korrupsionit dhe marrëzisë, që po i varfëron dhe po i lodh kaq shumë shqiptarët, duke i detyruar të largohen nga vendi”, shkruan kreu i shtetit.

Ai deklaron se hapi i parë për rikthimin në drejtimin e duhur është respektimi pikë për pikë i marrëveshjes së 5 Qershorit dhe mos devijimi prej saj asnjë milimetër.

“Të rikthejmë shpresën duke rikthyer sovranitetin në duart e popullit, me hapjen e listave 100% dhe plotësimin e të gjitha kushteve të BE!”, shkruan në mbyllje kreu i shtetit.

Ky qëndrim i Presidentit vjen teksa mazhoranca dhe opozita, nuk kanë gjetur dakordësinë për hapjen e listave në zgjedhje. /a.y/noa.al