Transmetuar më 23-09-2020, 11:34
Ambasadori Peter Zingraf

Ambasadori gjerman në vendin tonë, Peter Zingraf ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tusha.

Pas takimit me të, ambasadori Zingraf deklaroi se një Gjykatë Kushtetuese funksionale është e një rëndësie qendrore për demokracinë dhe besimin e shqiptareve dhe shqiptarëve në institucionet e tyre.

Sipas tij, KED-ja luan një rol të rëndësishëm në plotësimin e pozicioneve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë.

“Unë jam mirënjohës për shpjegimet e zonjës Tusha në lidhje me punën e KED-së përgjatë verës, që prej marrjes së funksionit të saj si dhe për hapat e mëtejshëm. Znj. Tusha solli në vëmendje rëndësinë e opinionit të Komisionit të Venecias për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Unë shpresoj se me plotësimin e vendeve të tjera të rivendoset mundësisht menjëherë funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Zingraf.

Ai shtoi se ky është një kriter i rëndësishëm edhe për çështjen se kur do të zhvillohet konferenca ndërqeveritare për negociatat e pranimit në Bashkimit Europian.

Në mbyllje ambasadori tha se Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë edhe më tej në fushën e reformës në drejtësi. /a.y/noa.al