Transmetuar më 23-09-2020, 09:35

“Mendoj se është e turpshme”. Me këto fjalë Presidenti amerikan Donald Trump iu përgjigj gazetarëve të cilët i kërkuan të komentonte mbi të dhënat e fundit, lidhur me numrin e vdekjeve nga Covid-19 në vend, ku është tejkaluar shifra e mbi 200 mijë viktimave.

“Mendoj se nëse nuk do të vepronim siç duhet dhe në mënyrë të drejtë, do të kishim 2.5 milionë vdekje. Nëse shikoni alternativat e mundshme, do të kishte 2.5 milionë vdekje ose diçka e tillë. Mund të kishte një numër dukshëm më të lartë”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë në konferencën për mediat këtë të martë.

“Duke thënë këtë – vazhdoi Trump – nuk duhet të kishim asnjë. Dhe e patë fjalimin tim në Kombet e Bashkuara. Kina duhet ta kishte ndaluar virusin në kufi. Nuk duhet ta kishte lejuar kurrë të përhapej nëpër botë, dhe kjo është një gjë e tmerrshme”.

Më tej shtoi se, nëse nuk do ishte mbyllur dhe rihapur vendi, do të kishte pasoja të mundshme, më serioze.

“Nëse nuk do të kishim vepruar mirë, do të kishim dy milionë, dy milion e gjysmë, ose tre milionë viktima. Por është e tmerrshme. Asnjëherë, kurrë nuk është dashur të ndodhë. Kina e lejoi atë. Le ta kujtojmë këtë dhe është e turpshme”. /a.y/noa.al