Transmetuar më 20-09-2020, 17:14

A ju ka rastisur të lexoni titullin dhe rreshtat e para të një lajmi e më pas të përballeni me "paguaj që ta lexosh të plotë"? Ose të shohësh minutat e para të një filmi në Digi Gold dhe nëse nuk paguan, harroje vazhdimin.

E ngjashme, paçka se jo për çështje pagese, është mënyra sesi punon zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë. Ajo servir vetëm ndonjë rresht informacioni në shqip, dhe për më tepër të çon në ca linke matjeje audience dhe video, që vetëm shqip nuk janë.

Mjafton të futeni në faqen e OBSH Shqipëri në Facebook dhe shihni se si shkelet detyrimi ligjor që gjithçka të jetë shqip e mandej edhe në gjuhë të dytë.

Sepse kjo është zyrë e OBSH Tiranë, i drejtohet publikut të gjerë shqiptar, jo atij të huaj, e jo ekskluzivisht atyre që dinë anglisht e madje anglishten mjekësore.

Dhe të mendosh se televizionet janë gjobitur vetëm se ka pasur ndonjë fjalë anglisht në reklamat e transmetuara pasi ligji detyron shqipen.

Në këto kohë kovidiane kur shqiptarët kanë nevojë për informacion të verifikuar dhe profesional, kjo zyrë e OBSH në Shqipëri, përveçse nuk i përkthen materialet që është e detyruar të informojë publikun shqiptar sepse prandaj merr fondet, që ta ketë këtë zyrë në Tiranë, por shihni pamjet më poshtë si sillet me lexuesit: Nis një informacion të rëndësishëm në shqip dhe të tërin më pas ia këput anglisht.

Lëre pastaj kur të ofron testim njohurish për Covid-19 dhe këtë ta mundëson vetëm anglisht(!)

Madje ka dhe raste akoma ku informacioni është tërësisht në gjuhë të huaj, si këtu:

Këtu është një tjetër informacion që shqiptarët do të donin shumë ta dinin, por ç’e do, vetëm anglisht të serviret dhe sa prej tyre mund ta kuptojnë si duhet vendosur maska?

Sa për faqen zyrtare të uebit, OBSH Shqipëri, as mos mendoni se punon ndokush që të jetë shqip. Aty edhe rusisht mund të gjeni, por jo në gjuhën e vendit ku ka zyrën, siç shihni foton qendrore.

Noa.al u përpoq të kontaktojë me këtë zyrë në Tiranë, por kjo nuk ishte e mundur dhe mbetet në pritje të marrë një informacion përse operon në këtë mënyrë zyra e OBSH në Shqipëri dhe a do të vazhdojë më kështu!

Sakaq shteti edhe këtu është në gjumë. Asnjë institucion përgjegjës nuk e vret mendjen. E duket se sa kohë ndodh kjo, OBSH dhe ca "obsh-ëra" të tjera si kjo, do të vazhdojnë të shpërfillin shqipen duke mos ua servirur shqiptarëve, nga zyrat e tyre të Tiranës, informacionet në gjuhën shqipe. /noa.al/

Përgjatë pandemisë #COVID19, është jetësore të sigurojmë vijimësinë e vaksinimit jetëshpëtues kundër shumë sëmundjeve të…

Publiée par Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri – WHO Albania sur Vendredi 4 septembre 2020