Transmetuar më 20-09-2020, 15:22

Rastet po rriten dhe teksa është vënë përballë pashmangshmërisë së valës së dytë të Covid, qeveria e Boris Johnson po ndërmerr veprime të ashpra.

Ata që do të thyejnë karantinën e kërkuar, pas kthimit nga jashtë vendit, nëse kanë dalë pozitiv ose thjesht kanë pasur kontakt me pacientë të prekur nga Covid, do të dënohen ashpër.

Gjoba mund të arrijë një maksimum prej 10,000 paund, ose rreth 11,000 euro.

Masat e reja, të cilat në Mbretërinë e Bashkuar janë në faqet e para të të gjitha gazetave, vijnë në një kohë pasigurie dhe krize në menaxhimin e virusit.

U desh një fjalim para kombit nga Kryeministri Boris Johnson, mbi masat e reja.

Masat që mund të miratohen, sipas vrojtimeve të shtypit, janë mbyllja e pub-eve, lokaleve, dhe restoranteve, si dhe rikthimin e një shtetrrethimi, në mbrëmje, në 22:00, apo edhe ndalimi i vizitave qoftë edhe në një familje tjetër.

Këshilltarët shkencorë të Kryeministrit Britanik mund të kërkojnë një kthim të një izolimi total për dy javë, me qëllim prishjen e ciklit të transmetimit dhe shmangien e kulmit të kurbës, që u arrit në pranverë.

Ministri i Financave, Rishi Sunak, si dhe Kryeministri Johnson, në vend të kësaj, janë të shqetësuar  për ndikimin që një mbyllje e dytë kombëtare mund të ketë në ekonominë e vendit. Sektori i turizmit, për shembull, është në prag të krizës. Rreth një milion vende pune, sipas ‘Sunday Times’, do të ishin në rrezik dhe nuk është ky sektori i vetëm që ka pësuar goditjen e Covid.

Ndërsa rastet rriten – nga 4,422 që ishin të shtunën – testet mbeten të pakta.

Shumë organizata – nga forcat e armatosura, te shkollat, nga shërbimet e urgjencës te kujdesi shëndetësor – nuk mund t’i nënshtrojnë punonjësit për të kryer tamponin.

Në pasiguri, shumë njerëz janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, megjithatë virusi po përparon. Prandaj pritet të miratohet vendimi për të rritur gjobat, për ata që shkelin rregullat, ndërsa për ata që janë nën pagën minimale ose marrin subvencione shtetërore – rreth katër milion qytetarë – do të ketë një stimul prej 500 paund, për të qëndruar në shtëpi.

Gjobat për ta do të fillojnë nga 1,000 paund, për shkeljen e parë dhe do të rriten në rast të shkeljeve të tjera./NOA.al