Transmetuar më 19-09-2020, 17:10

Dukuria që po vihet re kohët e fundit në spitalet COVID, Infektivi dhe Sanatoriumi, është shfaqja e papritur e diabetit tek pacientët me COVID edhe pse me parë këta pacientët nuk kanë vuajtur nga kjo sëmundje.

Mjeku endokrinolog Florian Toti tha sot se shkaqet po hetohen për të kuptuar nëse diabeti ka qenë i fshehur apo i shfaqur papritur nga rrethana të tjera për shkak të virusit.

Një i sëmurë me diabet nëse preket edhe nga COVID-19 e ka bashkëjetesën e këtyre diagnozave tepër të vështirë dhe në çdo moment të trajtimit, rreziku për të patur një dekurs të semundjes është i lartë.

Në spitalin Infektiv ka shumë të sëmurë diabetik të prekur me COVID dhe përveç mjekëve infeksionistë ata ndiqen edhe nga mjekët endokrinologë të QSUT.

Qëllimi është për të mbajtur në monitorim parametrat e sëmundjes por edhe të organeve të tjera që mund të sulmohen nga diabeti kur virusi SRAS-COV-2 është prezent.

Mjeku endokrinolog Florian Toti shpjegon në Rtsh, se sa serioze është bërë situata në spitalet COVID me këta pacientë.

Sipas Totit ndonëse konsultat në infektiv nga ana e mjekëve endokrinologë nuk kanë munguar, ka ardhur koha që spitalet COVID të furnizohen me medikamentet bazë të matjes dhe trajtimit të sëmundjes siç janë penat e insulinës.