Transmetuar më 19-09-2020, 13:33

Neurokirurgu shqiptar në spitalin e Filadelfias, Gentian Toshkezi, flet lidhur me situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit.

Mjeku deklaroi se situata në Filadelfia paraqitet më e qetë se në muajt e parë të pandemisë, dhe sipas tij, po shkohet drejt një normaliteti.

“Ka pasur një rënie të rasteve me koronavirus dhe kemi pasur një status quo të pacientëve, duke qenë në një situatë më të favorshme se muajt më parë, ku ishim në një situatë paniku. Aktualisht ne kemi hapur spitalet për veprimtaritë normale. Po shohim një rikthim të situatës jo plotësisht në normalitet, por duke krijuar një përçapje drejt rikthimit të situatës që kishim para koronavirusit. Pandemia krijoi probleme madhore për sistemin shëndetësor në të gjithë botën. Në Amerikë pati probleme të mëdha dhe nxori në pah mangësitë që kishte sistemi”, tha neurologu, në një lidhje News 24.

I pyetur mbi rezultatet e studimeve të fundit se “koronavirusi godet fort trurin dhe lë pasoja”, neurologu shqiptar sqaroi se “Covid paraqitet me probleme të sistemit nervor. Dy simptoma që do të përmendja janë humbja e nuhatjes dhe shijes. Natyrisht që truri është prekur në këtë moment. Ne jemi grupi i parë në Amerikë që vumë re një prekje të sistemit nervor me komplikacione serioze nga virusi, si infarkte të trurit. Studimet janë përqendruar për të parë pse ndodh ky dëmtim i sistemit nervor dhe pritet që të dalin rezultatet. Virusi e prek sistemin nervor, duke shkaktuar jo vetëm mos furnizim me oksigjen dhe gjak të trurit, por edhe inflamacion”.

Mund të largohet ky inflamacion?

Po. Për pacientët që kanë pasur probleme të tilla kemi ndërhyrë për të zhbllokuar arteriet dhe për t’i nxjerrë pacientët në gjendjen në të cilën ndodheshin.

Sa raste të tilla keni pasur?

Jemi duke bërë akoma një studim këtu ku unë punoj. Numri mund të jetë te 70-80 pacientë. Janë kryesisht mosha të re, 20-40-50 vjeç, plus moshat e treta, që kanë dhe probleme të tjera shëndetësore.

Janë probleme të rikuperueshme edhe pa ndërhyrje kirurgjikale?

Në varësi të shkallës së prekjes, mund të ketë përmirësim dhe pa ndërhyrje.

Si duhen trajtuar këta pacientë?

Koronavirusi ka prekur shëndetin nervor dhe sistemin nervor. Në këtë të fundit janë ndërlikime që lidhen direkt me ndërlikime të virusit në tru, duke shkaktuar dëmtime të trurit dhe duke shkaktuar probleme të pacientëve. Ka pasur një rritje të rasteve të pacientëve me vetëvrasje apo agresivitet të tepruar të këtyre pacientëve. Para ca ditësh një djalë i ri ka tentuar vetëvrasjen. Kemi pasur ndërhyrje urgjente që ne kemi bërë te pacientë me agravim të problemeve mendore dhe agresivitet.

Ka pasur agravim te personat që kanë pasur probleme të tilla edhe më herët, por që gjatë pandemisë kanë pasur më shumë pasiguri, ankth e panik nga izolimi. Kjo i ka çuar shumë prej këtyre njerëzve në vetëvrasje. Ka një rritje të personave që kanë kryer vetëvrasje në këtë periudhë në SHBA.

Këtu në SHBA problemi mendor është shumë i madh. Nëse një pacient shpreh një dëshirë për vetëvrasje, jemi të detyruar të alarmojmë, të ngremë sistemin në këmbë, për këtë dëshirë të pacientit, i cili shtrohet menjëherë në spital dhe nuk lejohet të dalë. Merren konsulta për këta pacientë. E megjithatë ka pasur raste kur pacientët e kryejnë vetëvrasjen.